Emigracioni është një problem i mprehtë, në të cilën po kalon Shqipëria, teksa vendi po zbrazet përditë kryesisht nga të rinjtë që largohen për arsye punësimi. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në një raport të posaçëm për këtë çështje lajmëroi Kuvendin se, ky problem nuk trajtohet me seriozitet nga entet përgjegjëse.
KLSH vë në dukje se, emigrimi i shtetasve shqiptare për motive punësimi sot rregullohet nga një ligj i pa përditësuar, i cili zbatohet kryesisht në funksion të qëllimit dhe parimeve të përgjithshme, por jo për sa i përket veprimeve procedurale. Ndryshimet e shumta në strukturat përkatëse dhe mangësitë në identifikimin e autoriteteve përgjegjëse kanë bërë që një pjesë e madhe e dispozitave të këtij ligji të jenë të pazbatueshme, duke cenuar rregullimin ligjor të një kategorie të gjerë të migracionit, emigrimin për motive punësimi.
Angazhimi i dokumenteve strategjikë dhe institucioneve përgjegjëse të fushës është drejtuar kryesisht drejt ri integrimit dhe rikthimit të personave të larguar, duke neglizhuar shtetasit e kualifikuar që përbëjnë potencial për të emigruar. Mungesa e një Regjistri të plotë për emigrantët dhe të dhënave të sakta nga institucionet rrjedhimisht bën që këto të dhëna të kenë një marzh të caktuar gabimi, vëren KLSH.
Auditi suprem vëren gjithashtu se, ministria e Brendshme nuk ka shfrytëzuar burimet e veta njerëzore dhe logjistike për të mbledhur dhe ruajtur të dhënat për emigracionin e shtetasve shqiptarë si dhe nuk ka bërë raportime periodike në INSTAT. Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në MB, nuk ka marrë masa për të mbledhur të dhëna manuale apo elektronike për emigrantët shtetas shqiptarë, për destinacionit ku largohen, llojin e statusit që kanë në vendin ku emigrojnë.
Mungesa e një rrjedhe të qartë informacioni nga institucionet përgjegjëse për migracionin tek INSTAT, në mënyrë që të garantohet saktësi e lartë e të dhënave, ka sjellë neglizhencë në përmbajtjen cilësorë të informacionit që agjencitë statistikore për modulet respektive të Programit Statistikor Zyrtar ofrojnë.
Megjithatë dëshira e shqiptarëve për t’u larguar nuk diktohet drejtpërdrejtë nga mangësitë e kuadrit ligjor e rregullator. Arsyet që i shtyjnë ata për të emigruar janë kryesisht ato ekonomike, standardet e jetesës, papunësia, rrogat e ulëta, por edhe mundësia për një arsim më të mirë apo mungesa e shpresës se gjerat në vend do të përmirësohen, raporton KLSH-ja. Por mungesa e të dhënave statistikore të sakta dhe bashkëpunimi i ulët ndërinstitucional për të siguruar informacion cilësor mbi migracionin, rrezikojnë zbatimin me efektivitet të politikave migratore.
Për të përmirësuar situatën KLSH ka lënë rekomandimet e duhura që shkojnë kryesisht për, vlerësimin e zbatimit të ligjit të emigrimit për motive punësimi dhe përditësimin e tij, hartimin e programeve që trajtojnë parandalimin e largimit të personave të kualifikuar drejt vendeve të tjera, grumbullimin dhe publikimin e të dhëna më të detajuara në lidhje me faktorët që i shtyjnë shqiptarët drejt emigracionit, hartimin e regjistrit të emigranteve me të dhëna të sakta rreth shtetasve shqiptare që duan të emigrojnë për qëllime punësimi, forcimi i bashkëpunimit midis strukturave përgjegjëse me qëllim përdorimin efektiv të informacionit, etj, thekson raporti i KLSH.