Eurostat: Shqipëria, vendi më i varfër në Europë

Aktualitet

Eurostat:  PBB për frymë sa 31% e mesatares së BE-së

Shqiptarët po braktisin vendin pasi ekzistenca dhe jetesa më minimale e tyre është e pasigurt në Atdheun e tyre. Këtë e tregojnë shifrat më të fundit statistikore që presitigjiozi i statistikave europiane, “EUROSTAT” ka përditësuar në raportin më të fundit.

Edhe këtë herë në renditje, Shqipëria del shteti më “katastrofë”, pasi vijon të mbetet vendi më i varfër i Europës, me të ardhurat dhe konsumin më të ulët për frymë.

Shqipërisë do t’i duhen dekada të tëra që të mund të arrijë standardet ekonomike të Bashkimit Europian, nëse hipotetikisht ekonomia e BE-së ndalon rritjen dhe ekonomia e Shqipërisë vijon me ritmet e para krizës, 2-3% në vit.

Eurostat publikoi sot se PPB-ja për frymë e Shqipërisë në vitin 2019 ishte sa 31% e mesatares së BE-së, duke e renditur vendin tonë me potencialin ekonomik më të dobët në Europë.

SHQIPTARËT PO BRAKTISIN VENDIN PASI EKZISTENCA DHE JETESA MË MINIMALE ËSHTË E PASIGURT NË ATDHEUN E TYRE. PPB-JA PËR FRYMË E SHQIPËRISË, NË VITIN 2019, ISHTE SA 31% E MESATARES SË BE-SË, DUKE E RENDITUR VENDIN TONË ME POTENCIALIN EKONOMIK MË TË DOBËT NË EUROPË

Shifrat tregojnë në vitin 2019, se pas Luksemburgut, Irlanda regjistroi nivelin më të lartë të PBB-së për frymë në 27 vendet anëtare të BE-se me 93% mbi mesataren. Në anën tjetër, vjen Shqipëria me nivelin më të ulët të PBB-së për frymë, me vetëm 31% e mesatares së BE-së. Në shtetet anëtare vendi më i varfër është Bullgaria me PBB për frymë sa 47% e mesatares së BE-së.

Ndryshe nga konsumi, diferencat e PBB-së për frymë ishin më të forta ndër vendet europiane. Luksemburgu ka deri tani PBB-në më të lartë për frymë midis 37 vendeve të përfshira në këtë krahasim, më shumë se dy herë e gjysmë mbi mesataren e BE-së. Kjo shpjegohet pjesërisht me faktin se një numër i madh i banorëve të huaj janë të punësuar në vend dhe kështu kontribuojnë në PBB-në e tij, ndërsa ata nuk janë të përfshirë në popullsinë rezidente.

Irlanda del e dyta në mesin e Shteteve Anëtare të BE-së, me 93% mbi mesataren e BE -27, e ndjekur nga Danimarka, Holanda, Austria dhe Gjermania, secila me një PBB për frymë më shumë se 20% mbi mesataren. Ndërsa Zvicra, Norvegjia dhe Islanda kanë një nivel të PBB-së për frymë përkatësisht 58%, 47% dhe 26% mbi mesataren e BE-së.

Suedia, Belgjika, Finlanda dhe Franca janë shtetet e tjera anëtare të BE-së me PBB për frymë mbi mesataren e BE-së, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar.

Në krahun tjetër Malta, Italia, Çekia dhe Spanja kanë një nivel të PBB-së për frymë më pak se 10% nën mesataren e BE-së.

Qipro, Sllovenia, Estonia dhe Lituania kanë një PBB për frymë midis 10% dhe 20% nën mesataren e BE-së. PBB-ja për frymë e Portugalisë, Hungarisë dhe Polonisë është më pak se 30% nën mesataren, ndërsa Sllovakia dhe Rumania kanë një PBB për frymë me 30% nën mesataren.

Letonia, Greqia, Kroacia dhe vendet kandidate, Turqia dhe Mali i Zi kanë një PBB për frymë më pak se 40% nën mesataren.

Bullgaria renditet me 47% nën mesataren e BE-27, e ndjekur nga vendet kandidate Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina (vendi i mundshëm kandidat) dhe Shqipëria. Kjo e fundit ka hendekun më të lartë prej 69 % të mesatares së PBB për frymë në BE.

Qytetarët shqiptarë kanë mirëqenien më të ulët në krahasim me fqinjët

Përgjatë vitit 2019 Shqipëria konsumoi sa 39 % e mesatares së BE-se, duke shënuar nivelin më të ulët në Europë sipas publikimit të Eurostat.

Konsumi i individëve është matës i mirëqenies materiale të familjeve. Në të gjithë Shtetet Anëtare në 2019, konsumi për frymë i shprehur në Standardet e Fuqisë Blerëse (PPS) ndryshonte nga 39% në Shqipëri niveli më i ulët në raport me mesataren e BE, deri në 135% në Luksemburg, niveli më i lartë i konsumit.

Vendet e rajonit të Ballkanit u paraqiten shumë më mirë në këtë tregues me një diferencë më të ngushte se Shqipëria.  Mali i zi e ka konsumin për person sa 60% e mesatares së BE, e ndjekur nga Maqedonia me 42 %, Bosnja 41%.

Eurostat raporton se të dhënat e publikuara nga zyra e statistikave të Bashkimit Evropian, bazohen në  shifrat mbi fuqinë blerëse, dhe shifrat më të fundit të PBB-së dhe të popullsisë.

Të dhënat tregojnë se 18 shtete anëtare konsumojnë nën mesataren e BE-së, ndërsa nëntë shtete anëtare regjistruan konsum për frymë mbi mesataren e BE në 2019.

Niveli më i lartë në BE ishte regjistruar në Luksemburg, 35% mbi mesataren e BE, përpara Gjermanisë me 22% mbi mesataren. Ata u ndoqën nga Austria, Danimarka, Belgjika, Holanda, Finlanda, Franca dhe Suedia me nivele prej 9 deri në 18% mbi të Mesatarja e BE-së

Ndërsa konsumi për për trembëdhjetë Shtete Anëtare qëndron midis mesatares së BE dhe 25% më poshtë. Në Itali, Irlandë, Qipro, Lituani dhe Spanjë nivelet ishin 10% ose më pak nën mesataren e BE-së, ndërsa Portugalia, Çekia, Malta dhe Sllovenia ishte midis 10% dhe 20% më poshtë. Polonia, Rumania, Greqia dhe Estonia ishin midis 20% dhe 25% nën mesataren. Pesë shtete anëtare regjistruan konsum  për frymë më shumë se 25% nën mesataren e BE.

Letonia, Sllovakia, Hungaria dhe Kroacia midis 25% dhe 35% më poshtë, ndërsa Bullgaria kishte AIC për frymë 42% nën mesataren e BE-së. Vendi më diferencën më të lartë ishte Shqipëria  me 61 % më pak se mesatarja e BE-së.

Gjatë tre viteve të fundit, konsumi për frymë në krahasim me mesataren e BE-së mbeti relativisht e qëndrueshme në shumicën e Shtetet anetare. Megjithatë, një rritje e qartë u regjistrua në Rumani (79% e mesatares së BE në 2019, krahasuar me 70% në 2017), pasuar nga Lituania, Portugalia, Malta, Sllovenia dhe Bullgaria. Në të kundërt, rënia më e dukshme u regjistrua në Suedi, Gjermani, Austri dhe Spanjë.