The Economist nxjerr shifrat ‘reale’: Të paktën 12 mijë shqiptarë vdiqën nga Covid-i

Aktualitet

Sa i përket Shqipërisë, “The Economist” vlerëson se numri real i të vdekurve për shkak të pandemisë varion mes 12 mijë dhe 15 mijë personave, ndërkohë që shifra zyrtare e deklaruar si të vdekur nga koronavirusi është 3 247.

SHQIPËRI – Të paktën 12 mijë shqiptarë vdiqën për shkak të pandemisë. Këto shifra tronditëse janë publikuar së fundmi nga prestigjiozja britanike “The Economist”, një raportim të detajuar në lidhje me numrin e vërtetë, sipas tyre, të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia.

Sa i përket Shqipërisë, “The Economist” vlerëson se numri real i të vdekurve për shkak të pandemisë varion mes 12 mijë dhe 15 mijë personave, ndërkohë që shifra zyrtare e deklaruar si të vdekur nga koronavirusi është 3 247.

Pas përpunimit të të dhënave nga 186 shtete të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, “The Economist” ka dalë në përfundimin se numri real i viktimave nga pandemia në të gjithë globin nuk është 5.5 milion, por rreth 19.1 milion. Kjo shifër është gati katër herë më e lartë nga ajo që kanë raportuar zyrtarisht shtetet.

Te kjo shifër nuk janë vetëm ata që kanë vdekur drejtpërdrejt nga koronavirusi, por edhe pacientë me sëmundje të tjera, të cilët nuk kanë mundur të marrin mjekimin apo shërbimin e duhur për shkak të mbushjes së spitaleve apo orientimit të resurseve kryesisht në drejtim të përballimit të pandemisë.

Për të arritur në këtë tregues, “Th Economist” ka përdorur një model kompjuterik, i cili ka krahasuar vdekshmërinë në kushte normale të popullsisë në një rajon dhe kohë të caktuar me numrin e të vdekurve të deklaruar nga autoritetet pavarësisht shkakut të tyre. Pjesa e dalë “tepër” në këtë raport është ajo që “The Economist” e konsideron “vdekje pa ndonjë shkak tjetër”, nisur edhe nga fakti se në rajonin në fjalë s’ka patur ndonjë katastrofë, duke e lidhur kështu drejtpërdrejt me pandeminë.

Marrë nga economist.com