Mundësia që virusi Covid të ketë rrjedhur nga një laborator nuk duhet të përjashtohet, ka thënë një ish-shkencëtar i lartë i qeverisë kineze për BBC News.
Si kreu i Qendrës së Kinës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), Prof George Gao luajti një rol kyç në përgjigjen ndaj pandemisë dhe përpjekjet për të gjurmuar origjinën e saj.
Megjithatë, qeveria e Kinës e ka hedhur poshtë çdo sugjerim që sëmundja mund ta ketë origjinën nga laboratori i Wuhan-it.
Por, prof. Gao gjatë një interviste në podcastin e BBC Radio 4 tha se gjithnjë duhet të jesh dyshues për çdo gjë.
“Kjo është shkenca. Nuk mund të përjashtosh asgjë.”
Gao, i cili është një virolog dhe imunolog i njohur në të gjithë botën, është tashmë zëvendëspresidenti i Fondacionit Kombëtar të Shkencave Natyrore të Kinës pasi u tërhoq nga CDC vitin e kaluar.
Në një shenjë të mundshme që qeveria kineze mund ta ketë marrë më seriozisht teorinë e rrjedhjes së laboratorit sesa sugjerojnë deklaratat e saj zyrtare, Prof Gao i thotë gjithashtu BBC-së se ishte kryer një lloj hetimi zyrtar në Institutin e Virologjisë në Wuhan (WIV).
“Qeveria organizoi diçka,” thotë ai, por shton se ajo nuk përfshiu departamentin e tij, CDC-në e Kinës.