Turistë kinezë kremtojnë Vitin e Ri në Krujë (Foto:CMG)
Atmosfera e Vitit të Ri Kinez ndjehet dhe në Shqipëri. Me rritjen e numrit të turistëve kinezë që vizitojnë Shqipërinë, disa prej tyre kanë zgjedhur që në “vendin e shqiponjave” të presin Festën e Pranverës, siç quhet Viti i Ri Kinez.
Një nga stacionet më të bukura turistike shqiptare është Kruja, me madhështinë e relievit të saj, kalanë krenare me Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në qendër, Pazarin e Vjetër, njerëzit miqësorë dhe artdashës dhe gatimet e shijshme.
Drejtori i Muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Mehdi Hafizi(Foto:CMG)
Drejtori i Muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Mehdi Hafizi thotë se vendin e parë të turistëve të huaj, që kanë vizituar këtë muze që nga janari ka arritur në mbi 400. Për këtë vit deri në këtë periudhë që flasim, vizitorët kinezë mbajnë vendin e parë.
Mes eksponateve të muzeut një e re kineze shpreh interesin e saj për Shqipërinë, historinë dhe kulturën e saj
“Mua më pëlqen Shqipëria. Ka një natyrë të bukur dhe ushqim bio. Njerëzit janë shumë miqësorë. E vizitoj muzeun sepse dua të mësoj më shumë për historinë e Shqipërisë dhe ky muze është i famshëm. Kam bërë shumë fotografi në muze dhe janë të bukura. Uroj Gëzuar Vitin e Ri Kinez dhe bëj thirrje bashkatdhetarëve të mi të vizitojnë Shqipërinë sepse është një vend shumë i bukur” u shpreh ajo.
Këto ditë zona muzeale e Kalasë së Krujës ka pritur shumë turistë nga Kina. Në planet e tyre të udhëtimit ata kanë zgjedhur të kalojnë ditët festive të Vitit të Ri Kinez në Ballkanin Perëndimor. Guida e tyre tregon itinerarin e kësaj vizite turistike.
“E kemi pritur grupin turistik në Serbi, në aeroport. Po bëjmë një tur ballkanik, që ka nisur nga Beogradi, për të vijuar në Sarajevë, Mostar, Malin e Zi ku jemi ndalur Kotorr, Budva, Podgoricë. Ndërsa sot mbërritëm në Shkodër ku vizituam Kalanë e Rozafës dhe kemi ardhur në Kalanë e Krujës ku sonte festojmë Vitin e Ri Kinez. Nesër do të vizitojmë Tiranën dhe Durrësin, ndërsa të dielën në mëngjes turistët do të kthehen në Kinë”, tha guida.
Turistët kinezë duken të përshkruar nga emocione të bukura të këtij udhëtimi në Shqipëri, pas Shkodrës, ata ndaluan në Krujë për të pritur Vitin e Ri, për të vazhduar më pas me vizitën në Tiranë, nga ku do të fluturojnë drejt Kinës. I riu kinez nga Shenzhen-i, Yu Nan Kun ndan përshtypjet e tij nga ky udhëtim në ditët e Vitit të Ri Kinez
“Është hera ime e parë në Shqipëri. E kemi nisur turin në Beograd dhe tani jemi në Shqipëri. Jam i lumtur që po përjetoj këto peizazhe dhe kulturën ballkanike. Besoj se do të jetë një përvojë e paharrueshme për mua, sepse për shkak të koronavirusit nuk kam mundur të udhëtoj jashtë vendit për 5 vjet. Kam ardhur në këtë vend për të zgjeruar horizontin tim dhe për të zbuluar më shumë kultura për të patur më shumë shkëmbime me kulturën kineze. Këtu do të festojmë Vitin e Ri Kinez. Kjo është festa më e rëndësishme për ne. Uroj që të gjithë kinezët ta festojnë Vitin e Ri të lumtur!”, tha ai
Një nga restorantet e Kalasë së Krujës është stacioni i shijimit të kuzhinës tradicionale, por dhe shfaqjes së ofruar nga artistët krutanë për turistët kinezë. Drejtori artistik i Grupit popullor “Pleqtë e Krujës”, Mehmet Llubani është entuziast për performancën e artistëve me rastin e Vitit të Ri Kinez
Në tavolinat me gatime tradicionale të Krujës, pije nga agroturizmi i restorantit, muzikë popullore shqiptare, turistët kinezë argëtohen duke pritur me zemër të gëzuar Vitin e Ri. Bashkohen në valle me vajzat kërcimtare dhe klientë të tjerë shqiptarë. Trokasin gotat me urime për shëndet, paqe, mbarësi e begati në Vitin e Dragoit /EdaMerepeza/CRI.CN