Aurora Sulçe / Ekspertët e ekonomisë parashikojnë se të parët që do të preken nga përshkallëzimi i krizës ekonomike në Greqi pas rezultatit të referendumit do të jenë emigrantët me shkurtimin e vendeve të punës. Shkalla e papunësisë në fqinjin tonë jugor vlerësohet në mbi 29% , ndërkohë që për të rrinjtë arrin në 50% .
Kastriot Sulka: “Këta e kanë shumë të limituar numrin e ditëve të punës, pra për rrjedhoje edhe të ardhurat e tyre janë shumë të limituara. Ajo që mund të ketë efekt pastaj është edhe pjesa e kurismeve të tyre, marrëdhëniet e tyre me bankat. Kjo është një kategori që e shumta mund të sjelli aftësitë e tyre disiplina në punë, por nuk bëhet fjalë për të pasur kapitale, thjesht mund të jenë të vetëpunësuar”
Ekspertët i këshillojnë qeverisë që të hartojë sa më shpejt planin e masave sebashku me planifikimin e fondeve në buxhet, pasi emigrantët që do të kthehen nuk do të kenë asnjë mundësi financiare për të jetuar.
Kastriot Sulka: “Duhet marrë me seriozitet, nuk duhet parë vetëm nga fakti që ata kthehen. Ata që kthehen, kthehen për nevojë. Duhet pasur parasysh se ata kanë nevojë për vende pune. Ata kthehen sepse në shumicën e rasteve i kanë humbur marrëdhëniet me Shqipërinë dhe për rrjedhojë do të kërkojnë strehim”
Ish-zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka shpjegon se 5 vite më parë BE i kërkoi qeverisë shqiptare hartimin e një strategjie për integrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, një dokument i hartuar në atë mënyrë sebashku me planin e veprimit mbi të cilin, qeveria Rama mund të punojë valën e parë për të kthyerit nga Greqia.