A është Meta politikani i radhës që do të shpallet non-grata? Ja si përgjigjet Presidenti

Politika

Presidenti i vendit Ilir Meta, i është përgjigjur aludimeve që qarkullojnë se ai është politikani i radhës i shpallur “non grata”.

Përmes një interviste për Syri Tv, kreu i shtetit u shpreh se ai është “super grata” dhe ftoi çdo ambasador të huaj që nëse ka ndonjë mesazh për të, t’ia jap në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo përmes politikanëve të tjerë.

“Nëse ka ndonjë palo ambasadë apo palo shtet që ka zgjedhur një palo politikanë për t’i dërguar mesazhe Ilir Metës. Ilir Metën këtu e kanë patur, këtu e kanë dhe këtu do ta kenë, sidomos pasi të jem në këtë post.

Kur Ilir Meta ka dalur në lëvizjen e dhjetorit nuk ka patur ambasadë amerikane në Tiranë, unë kam respekt për ambasadën amerikane.

Kush ka një mesazh për Ilir Metën le t’ia thojë direkt Ilir Metës dhe do marrë përgjigjen ashtu siç e meriton. Ilir Meta është këtu, është super grata dhe beson te demokracia, beson te liria dhe beson mbi të gjitha te Shqipëria. Ilir Meta ka një atdhe dhe një axhendë. Ilir Meta nuk është naiv, nëse dikush do territorin tonë por përbuz popullin tonë, sot apo nesër ai do të jetë armiku ynë dhe Ilir Meta i del përballë që sot. Unë jam njeri që respektoj në radhë të parë ligjet e shtetit tim dhe pastaj ligjet e shteteve të tjera dhe le të dalë një shqiptar që thotë më gënjeu Ilir Meta. Të dalë një amerikan që të thotë më ka gënjyer Ilir Meta”, tha kreu i shtetit.