A ishte dështim Samiti i Diasporës?

Opinion

SAMITI I DIASPORES

Alban DACI  /  Ndoqa me vëmendje fjalimin e Kryeministrit Rama përballë shqiptarëve që kishin ardhur nga e gjithë Bota. Shqiptarët e pranishëm, disa figura të ndritura, disa të tjera në shërbim të politikës e disa që s’janë asgjë përveç faktit që gëzojnë shtetësinë shqiptare dhe kishin marrë nga ftesë për të marrë pjesë në “Samitin I Diasporës”. Kjo që pashë sonte dhe që ishte nata më e rëndësishme e “Samitit” nuk kishte asnjë element për tu quajtur i tillë. Samit do të thotë, ku të gjithë ulen rreth një tavoline të rrumbullakët me propozime konkrete, bëhen negociata dhe arrihet një dokument përfundimtar i hartuar nga të gjithë dhe me firmën e të gjithëve.

Pra, po të ishte Samit ashtu siç preferon ta quajnë Bushati me mendjen e tij, sot Rama duhet të ishte “Pimus inter paris” dhe jo, komandati dhe të gjithë ata të ftuar me mijëra kilometer të bërë për të qenë të pranishëm ngjanin si militantë, si ushtarë që vetëm duhet të duartrokisnin retorikat e Kryeministrit. Pra, nga ajo që u pa sonte në Pallatin e Brigadave, ky nuk ishte një samit, por ishte thjeshtë një takimin i shqiptarëve që jetojnë jashtë me Kryeministrin. Ka shumë elementë që këtë që ndodhi sonte nuk e konsiderojnë Samit, por një rrëfim i bukur i Kryeministrit Rama para shqiptarëve që kishin ardhur nga anekënd. Por, edhe vetë fjalimi i Kryeministrit ishte në vetvete një dështim, pasi pjesën me të madhe të fjalimit të tij e zuri personazhi i Faik Konicës, apo disa liberal të tjerë që kanë kontribuar për Diasporën gjermane dhe hebraike. Pra, fjalimi i Kryeministrit ishte një retorikë dhe një nostalgji për të kaluarën e shqiptarëve dhe për kohën kur ata ishin zotëri të vërtetë të SHBA, Europës dhe Ballkanit. Pikërisht në kohën, kur Noli, Konica, Mihtat Frashëri, Ismail Bej Vlora e mjaft të tjerë ishin personazhe të dimensioneve ndërkombëtare dhe kishin forcë të ndikonin në fatet e shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Rama nuk foli asgjë për vetën e tij, për qeverisjen e tij, sepse ai realisht ashtu si të gjithë të tjerët në këto 25 vite nuk kanë bërë asgjë për Diasporën dhe po ashtu kanë bërë shumë pak për fatet e vendit.

Sot, Diaspora për fatin e keq nuk kanë figura kolosale me vizione të forta shtetërore dhe politike. Për fat të keq Shqipëria sot, ka personalitet në Diasporë që përfaqësonin unin dhe dëshirën për sukses individual dhe kaq. Kjo do të thotë se kemi ca artistë, kemi ca të tjerë që kanë bërë para, por asnjëri prej tyre nuk ka dhënë diçka konkrete për fatet e vendit.

Pse ka ndodhur kjo? Sepse, politika shqiptare në këto 25 vite ka qenë një politikë përçarëse jo vetëm në vend, por edhe jashtë në Diasporë. Shqiptarët janë pozicionuar në logore politike edhe në Diasporë dhe ndjekin vetëm linjat politike në të cilat kanë aderuar dhe kanë interesa. Po ashtu, kemi edhe një problem tjetër, bota për shkak të zhvillimeve të forta kapitalist, të krizave të ndryshme dhe historive individuale të shqiptarëve për të rifilluar nga fillimi jetën, ka bërë që tek ata më shumë të mbizotërojë individualizmi sesa ndjesia për të përbashkët dhe për Kombin. Megjithatë, ky Samit, nëse do të kemi kënaqësinë ta quajmë siç e ka vetëquajtur Bushati është një dështim i madh dhe këtë e them për dy arsye.

  1. Së pari, Diaspora nuk është pronë e askujt, por respekton çdo formë organizimi institucional shqiptar që përfaqëson shtetin. Ky Samit nuk ishte gjithëpërfshirës. Në këtë samit duhet të ishin përfaqësues të Opozitës, Presidenti i Republikës dhe po ashtu edhe Kryetari i Kuvendit. Një gjithëpërfshirje do të ishte më kombëtare dhe më me kuptim ky takim.
  2. Së dyti, në këtë Samit nuk u diskutua asnjë temë e rëndësishme që atakon Diasporën apo edhe çështje që lidhen me Shqipërinë, Integrimin e Shqipërisë, reformat apo edhe perspektiva e shqiptarëve në Rajon.
  3. Nuk u tha asgjë për votën e emigrantëve dhe nuk e kuptojë se si kanë pranuar disa personalitete të dimensioneve botërore që sonte e dëgjuan nga fillimi në fund Kryeministrin pa thënë asgjë për të drejtën e tyre për të votuar.
  4. Kryeministri i Shqipërisë nuk paraqiti asnjë projekt qeveritar për të bërë të mundur integrimin e atyre shqiptarëve që jetojnë jashtë, që shkëlqejnë në fusha të caktuar për të qenë pjesë e vendimarrjes apo e administratës. Rama, publikisht të paktën njërin prej atyre që ishin të pranishëm duhet ta kishte emëruar këshilltar të tij personal.
  5. Të ftuarit ishin vetëm tifoz që dëgjuan referatin e Kryeministrit dhe nuk kishin asnjë lloj force apo të drejte për të marr vendime apo për të replikuar.

Ky Samiti, apo siç ishte realisht një takim, kishte vetëm një gjë të mirë, se shqiptarët u mblodhën në shtëpinë e tyre, ashtu siç mund të mblidheshin për 28 nëntorin, por që nuk do të ketë asnjë rezultat konkret dhe shpejt ata do të kthehen nga kanë ardhur e emrat e tyre do të harrohen ashtu siç ka ndodhur në këto 104 vite.