Aplikimet për azil politik : Shqipëria e dyta në Botë

201

Aplikimet për azil të shqiptarëve në BE arritën në shtator nivelin më të lartë që pas pandemisë, e dyta në botë

Kërkesat për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian e të tjera europiane u rritën ndjeshëm në shtator, duke arritur në nivelin më të lartë që nga shkurti, përpara se të nisnin kufizimet e udhëtimit të shkaktuara nga Covid-19.

Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO), aplikimet totale për azil arritën në 655, me një rritje prej 62% në krahasim me gushtin, duke u përmendur dhe nga EASO si një nga shtetet me rritjen më të lartë mujore në përqindje.

Nga aplikimet totale të shtatorit, 63% ishin të reja, ndërsa bie në sy dhe numri i lartë i riaplikimeve (238 gjithsej, ose 27% e totalit).

Gjithsesi edhe numri i aplikimeve të reja ishte më i larti që nga fillimi i pandemisë, me shqiptarët që duket se po i gjejnë shtigjet për të ikur, edhe pse zyrtarisht nuk lejohet të udhëtojnë lirisht në BE, që prej marsit, për shkak të kufizimeve në udhëtime nga Covid-19.  Për 9-mujorin, aplikimet për azil arritën gjithsej në gati 5 mijë persona.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ato kanë rënë me 72%, për shkak të situatës së krijuar në mbarë botën nga pandemia e koronavirusit, çka ka bërë që shtetet e Bashkimit Europian të kufizojnë hyrjet e shtetasve jo të BE-së.

E dyta në botë, në raport me popullsinë.

Ndonëse në rënie në raport me vitin e kaluar, aplikimet për azil nga shqiptarët vijojnë të mbeten më të lartat në rajon.

Në shtator, kishte 238 aplikime nga Kosova, nga Serbia 2012, nga Bosnja 141 nga Maqedonia e Veriut 79 dhe nga Mali i Zi vetëm 10.

Në raport me popullsitë përkatëse, Shqipëria vijon të mbetet e dyta në botë në aplikimet për azil në shtator, me 23 aplikime për 100 mijë banorë, pas Sirisë, që ka 37 aplikime për 100 mijë banorë. Pas Shqipërisë renditet Gjeorgjia, me 20 aplikime për 100 mijë banorë. Më pas vjen Afganistani (13.2), ndërsa renditja vazhdon me Kosovën, që është e dyta në Ballkan me tendencën më të lartë për të ikur në BE.

Ndonëse shqiptarët vijojnë të ngulin këmbë, duke kërkuar azil në BE, ata kanë refuzime shumë të larta. Sipas EASO, gati 99% e vendimeve në shtator, ishin negative.