Australi, kërcënim me bombë në avion

1027

Vetëm pak minuta pas nisjes, një avion i kompanisë “Malaysian Airlines” u detyrua që të kthehej në Melburn për shkak të një pasagjeri problematik, i cili tentoi të hynte në kabinën e pilotimit.

Sipas mediave ndërkombëtare, personi në fjalë, pasi nuk u lejua që të fliste me pilotin, kërcënoi se kishte me vete një bombë dhe do të hidhte avionin në erë. Tre prej pasagjerëve të tjerë ndërhynë me shpejtësi dhe e ndaluan atë, ndërsa stafi i avionit mori vendimin që të kthehej në Melburn.

Ndërkohë sapo mbërriti në pistë, në avion hynë forcat speciale të policisë australiane, që nuk patën shumë punë për të bërë, pasi pasagjeri i zhurmshëm ishte lidhur nga të tjerët, që u konsideruan si heronj. Pasagjerët në avion postuan në rrjetet sociale video të incidentit, ku shfaqet i dyshuari që merret nga policia.

Kjo e fundit konfirmoi me shpejtësi se i dyshuari nuk kishte asnjë armë apo mjet shpërthyes me vete, duke qetësuar pasagjerët e tjerë të trembur. Autoritetet australiane thanë se pasagjeri problematik ishte një 26-vjeçar nga Sri Lanka, i cili vetëm pak orë para se të hipte në avion ishte liruar nga një spital psikiatrik i Melburnit.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: