Deklarata e çuditshme e zyrës së emigracionit. Amerika, jo më një vend emigrantësh?..

Bota Emigracioni

 

Agjencia amerikane që merret me kërkesat për lejen e qëndrimit dhe shtetësinë amerikane që këtë javë nuk u referohet më Shteteve të Bashkuara si “vend imigrantësh” në deklaratën e misionit të saj, një ndryshim që shkaktoi reagim në Uashington.

Deklarata e rishikuar për të cilën u njoftua fillimisht të enjten, u përmend në një letër nga Drejtori i Shërbimeve të Shtetësisë amerikane për punonjësit e agjencisë si një ndryshim që duhet të “na udhëzojë në vitet në vazhdim”.Deri të mërkurën, fillimi i deklaratës së misionit të Shërbimeve të Imigracionit ishte:

“Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit Amerikan, garanton premtimin e Amerikës si një vend imigrantësh, duke u dhënë informacion të saktë dhe të dobishëm për klientët tanë, duke miratuar shërbime imigracioni dhe shtetësie, duke inkurajuar ndërgjegjësimin dhe të kuptuarin e shtetësisë dhe duke siguruar integritetin e sistemit të imigracionit”.

Në deklaratën e rishikuar thuhet:

“Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit Amerikan administron sistemin e ligjshëm të imigracionit të vendit, duke ruajtur integritetin premtimin e tij, duke i shqyrtuar kërkesat për shërbime imigracioni në mënyrë efektive dhe të drejtë, duke mbrojtur njëkohësisht amerikanët, atdheun dhe duke nderuar vlerat tona”.

Agjencia thotë se formulimi i ri ishte bërë nga drejtori L. Francis Cissna, i cili tha se ky lloj formulimi përcakton qartë rolin e agjencisë dhe e bën të qartë se kujt i shërben.

Presidenti Donald Trump erdhi në detyrë me një platformë ndryshimesh intensive në sistemin amerikan të imigracionit. Vitin e fundit, administrata e tij ka marrë disa vendime që kanë sjellë ndryshime tek grupet që lejohet të hyjnë në vend.

Senatori Dick Durbin, demokrati i dytë më me peshë në Senat, reagoi me një mesazh në Twitter.

“Administrata e Presidentit Trump mund të ndryshojë deklaratën e një misioni por nuk mund të ndryshojë historinë tonë dhe ne nuk do t’i lejojmë të ndryshojnë të ardhmen tonë: ne jemi dhe do të jemi gjithmonë një vend imigrantësh”.

Burimi: VOA