Dialogu Kinë – BE si nevojë globale shumë dimensionale

Bota

Nga Artur Nura /

Dialogu si themel negocimi që nga kohët e lashta kur njerëzimi ju drejtua të jetuarit në komunitete, mbetet si mënyra e duhur dhe më e mirë për të sheshuar diferencat dhe forcuar bashkëpunimin midis palëve me interesa të ndryshme.

Sot, ky mjet komunikimi që quhet diplomaci, është tejet i rëndësishëm për stadin ku bota gjëndet gjeopolitikisht & gjeoekonomikisht dhe veçanërisht kjo pas konfliktit ushtarak të pambyllur akoma në Ukrainë.

Sot më shumë se kurrë duhen sheshuar divergjencat dhe forcuar bashkëpunimi në stad global, kontinental e ndërkontinental. Qëllimi kryesor është shmangja e përplasjeve ushtarake! Për të realizuar këtë stad nevojiten kontributet e gjithë aktorëve që nxisin dialogun të cilët duhen përgëzuar dhe mbështetur pavarësisht problematikave kalimtare të cilat e pengojnë atë dhe janë të pashmangshme.

Këta aktorë janë të shumtë, por sigurisht disa prej tyre janë dominues për çka përfaqësojnë në arenën globale dhe kanë mundësi ti japin udhë zgjidhjeve me influencën e tyre në zona nevralgjike të globit.

Dhe, me që ju referuam lashtësisë, në një rast të tillë të kujtohet thënia e vjetër Romake e cila thotë: “Të gjitha rrugët të nxjerrin në Romë” që në metaforë me këtë thënie mund të themi që të gjitha rrugët e diplomacisë globale të çojnë në Pekin për shkak të rolit që ky vend i madh ka në aktorët e tjerë globale dhe padyshim potencialit ekonomik që përfaqëson.

Joseph Borel në pritje të vizitës në Kinë

Të gjithë aktorët e politikës së jashtme botërore po vizitojnë Kinën për të dialoguar me të. E fundit në radhë mbetet Bashkimi Europian i cili mbetet instrumenti më i avashtë global jo vetëm në këtë drejtim dhe kryesisht për arsye më shumë të brendshme.

Në fakt, pas vizitës të suksesshme të presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentes së Komisionit Europian Ursula Van Der Leyen, e cila duket ishte më shumë në cilësinë e politikanes gjermane dhe pak si zyrtarja më e lartë europiane, ministri i jashtëm i Bashkimit Europian Joseph Borel po bën cfarë është e mundur që të vizitojë Pekinin e të takohet me homologun e tij kinez dhe me shpresë edhe me presidentin Xi Jinping.

Joseph Borel e kishte të parashikuar të vizitonte Kinën në prillin e shkuar, por për fatin e tij të keq ai rezultoi i infektuar me Covid 19 dhe nuk ju bë e mundur vizita në atë kohë. Ky fat po e përndjek akoma ministrin e jashtëm të Bashkimit Europian pas anulimit të vizitës së tij nga pala kineze. Megjithatë i duruar Borel mbetet në pritje të lajmeve pozitive nga Pekini për vizitën e tij të ardhshme.

Roli i Gjermanisë në marrëdhëniet Kinë – Bashkimi Europian?

Në fakt, vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Pekin në nëntor 2022 ishte vizita e parë zyrtare e një udhëheqësi evropian në Kinë që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Kompleksiteti i marrëdhënieve aktuale BE-Kinë, karakterizohet nga një partneritet i rëndësishëm ekonomik e cila duket se në këtë plan dominon mbi interesat e tjera politike kur përfaqësues të Bashkimit Europian vizitojnë Kinën edhe në cilësinë e qeveritarit të një shteti specifik të Bashkimit Europian.

Qëllimi i vizitës së kancelarit gjerman duket qartazi ishte kryesisht kërkesa për një hapje më të madhe të tregut kinez dhe reciprocitet të investimeve. Por, ky aspekt pasqyron një nyje të rëndësishme edhe në marrëdhëniet BE-Kinë, që është ajo e hapjes së tregjeve dhe e reciprocitetit të investimeve.

Rëndësia ekonomike nënvizohet edhe nga fakti se kancelari Scholz shkoi në Kinë i shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga drejtuesit e lartë të disa prej kompanive më të rëndësishme gjermane si BASF, Bayer apo Volkswagen.

Nuk është për t’u habitur që Scholz ishte lideri i parë evropian që bëri një vizitë zyrtare në Kinë që nga fillimi i pandemisë. Ne fakt, qasja e Scholz-it në përgjithësi ndryshon nga ajo e ish kancelares Angela Merkel, duke reflektuar ndryshime në marrëdhëniet BE-Kinë.

Ajo vizitë zyrtare sigurisht që tregoi një qasje pragmatike për rihapjen e kanaleve të drejtpërdrejta me Kinën pas gati tre vitesh mbyllje për shkak të pandemisë Covid-19. Është e rëndësishme të kujtojmë këtu se më shumë se një milion vende pune në Gjermani varen nga marrëdhëniet e vendit me Kinën.

Për shembull është Daimler, gjiganti gjerman në sektorin e automobilave që, shet më shumë se një të tretën e automjeteve të tij në Kinë. BASF do të investojë rreth 10 miliardë euro në gjigantin aziatik deri në fund të kësaj dekade… e të tjera… e të tjera…

Cilat janë programet politike e Bashkimit Europian në fokusin e marrëdhënieve me Kinën?

Viti 2022 është shënuar nga ngjarje të rëndësishme politike midis Kinës dhe Bashkimit Evropian dhe nga publikimi i dokumenteve të reja strategjike europiane që kanë ndihmuar në përcaktimin e mëtejshëm të ndryshimit në marrëdhëniet BE-Kinë.

Sipas këtyre raporteve të Komisionit Europian ky zhvillim pozitiv ka ndodhur gjatë presidencës së Xi Jinping, veçanërisht që nga viti 2019 me publikimin e Perspektivës Strategjike nga Komisioni Europian, në të cilin Kina u përcaktua si një “rival sistemik” dhe, si një “partner” në trajtimin e kërcënimeve transnacionale, por dhe një “konkurrent” ekonomik.

Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS) publikoi një busull startegjike për sigurinë dhe mbrojtjen, me qëllim që t’u ofrojë shteteve anëtare një mjet për t’iu përmbajtur një vizioni të përbashkët strategjik mbi rolin e Bashkimit në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes dhe të angazhohen për arritjen e një numri objektivash të përbashkëta gjatë 5-10 viteve të ardhshme.

Ky dokument riafirmon strategjinë evropiane të “tripartit” në klasifikimin e Kinës si një partner, konkurrent dhe rival sistemik në të njëjtën kohë. BE-ja po punon drejt një ri-angazhimi me Kinën, veçanërisht tani që takimet ballë për ballë po dinamizohen dhe, vizitat e fundit në Pekin që edhe cituam janë dëshmi e këtij zhvillimi pozitiv.

Nga njëra anë, është e rëndësishme të përpiqemi të promovojmë dialogun kudo që të jetë e mundur. Nga ana tjetër, përdorimi i mjeteve dhe masave që rregullojnë deformimet e tregut është i domosdoshëm. Me rëndësi prioritare është zhvillimi i një kuadri pragmatik për të gjetur një ekuilibër më të mirë midis aspekteve të ndryshme të strategjisë së “tripartit” të BE-së, në mënyrë që të ndjekë një dialog të frytshëm me Kinën dhe në të njëjtën kohë të mbrojë interesat e saj strategjikë – thuhet në këtë raport përsa mund të përmblidhet në mënyrë të përgjithshme në këtë shkrim…

Çfarë pritet konkretisht nga marrëdhëniet Kinë – BE?

Ambasadori i BE-së në Kinë Jorge Toledo i tha Forumit Botëror të Paqes në Pekin se Kina dhe Evropa ka të ngjarë të mbajnë dy takime të nivelit të lartë në shtator, përpara një samiti të të gjithë liderëve botëror më vonë këtë vit. Sigurisht që takime kaq të rëndësishme kërkojnë kohën dhe përgatitjet përkatëse dhe me siguri do të sjellin përparim mbarë global.

Një nga kërkesat e Bashkimit Europian për Kinën është edhe presioni kundër luftës në Ukrainë që në fakt Pekini ka qenë i vetmi vend që realizoi nëpërmjet të dërguarit të posaçëm të presidentit Xi Jinping një tur dialogu me Kievin dhe Moskën dhe aktorët e tjerë rilevant ndërkombëtare.

Ditët dhe javët në vazhdim sigurisht do të sjellin lajme të tjera të rëndësishme të cilat do të duhet ti mësojmë me vizitën e shumë pritur të ministrit të jashtëm të Bashkimit Europian Joseph Borel e cila sigurisht do të realizohet kur palët të jenë të qarta për çfarë do të diskutojnë në lidhje me interesat reciproke…/CRI.CN