Donald LU / Çfarë ndryshimi sjell një vit? Që kur u mblodhëm bashkë në Sheraton vitin e kaluar, kemi një ministre të re fantastike të Ekonomisë dhe një ministër të ri të Financave, gjithashtu shumë të mirë. Kemi parë një reformë të suksesshme të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Gjithashtu kemi parë fillesën e debatueshme të fushatës kundër informalitetit. Disa biznese kanë ardhur, e të tjera janë larguar.
Gjatë vitit të shkuar, kemi parë gjithashtu të arrestuar dhe të ndjekur penalisht gjyqtarë, prokurorë, parlamentarë, një ish-ministër dhe tani një bos të dyshuar të krimit të organizuar, Emiljano Shullazi. Ne i mirëpresim këto hapa pozitivë dhe presim që këto çështje të shkojnë përpara në mënyrë të pavarur dhe serioze.
Njëra nga çështjet që kam diskutuar me shumë prej jush ka qenë reforma në drejtësi dhe më keni thënë se pasja e një sistemi drejtësie të ndershëm e të parashikueshëm do të ketë ndikim domethënës në rritjen e bizneseve tuaja.
Investimet e huaja dhe të brendshme në Shqipëri përbëjnë vetëm një përqindje të vogël të potencialit të saj. Një reformë serioze në drejtësi do të tërheqë investime të mëdha, do të rrisë besimin e biznesit dhe do të lejojë që mosmarrëveshjet e biznesit të zgjidhen në mënyrë të parashikueshme dhe normale.
Më lejoni t’ju them shumë qartë, se jemi shumë pranë përfundimit të kësaj reforme. Shpresoj që të gjithë ju nuk do të më thoni më se jeni pesimistë për miratimin e reformës dhe që do të filloni të merrni përgjegjësi për miratimin e saj. Duhet t’u telefononi deputetëve.
Duhet të shkoni të takoni udhëheqësit e partive politike. Si lider të komunitetit tuaj, duhet të ndikoni elitat politike, sepse është e rëndësishme t’ua kujtoni politikanëve se punojnë për njerëzit. Më shumë se 90 për qind e shqiptarëve thonë se e kërkojnë këtë reformë. Të sigurohemi që politikanët po e dëgjojnë zërin e tyre.
Komuniteti ndërkombëtar është shprehur shumë qartë për këtë reformë, por besoj se është edhe më shumë e rëndësishme që shqiptarët ta kërkojnë këtë reformë.
Dhe kjo është vlera e organizatave si Dhoma Amerikane e Tregtisë. Ju në këtë sallë nuk jeni vetëm një zë për komunitetin e biznesit, por jeni gjithashtu një prej zërave demokratikë të shoqërisë shqiptare. Ndonjëherë qeveria do të dëgjojë, e ndonjëherë qeveria do t’ju injorojë. Por është mjaft e rëndësishme që ta ngremë zërin.
Sot po votoni për një bord të ri drejtorësh. Me 10 pozicione të hapura, zgjedhjet e sotme do të jenë të rëndësishme për të ardhmen e Dhomës. Do të doja të falënderoja të gjithë anëtarët e bordit për shërbimin e tyre ndaj Dhomës gjatë vitit të kaluar. Nën udhëheqjen tuaj ne kemi parë hapa të mëdhenj përpara në avokatimin për të drejtat dhe privilegjet e anëtarëve tanë.
Jam i trishtuar që dy anëtarë amerikanë të bordit tonë kthehen në Shtetet e Bashkuara, por ndjehem i inkurajuar që shumë amerikanë dhe biznese amerikane po shfaqin interes për Dhomën dhe po kandidojnë për të qenë pjesë e bordit këtë mbrëmje. Kjo tregon se Dhoma Amerikane vazhdon të jetë një zë i fuqishëm për komunitetin e biznesit amerikan në Shqipëri.
Ndaj sërish, falënderime për të gjithë ju që keni punuar kaq fort përgjatë 16 viteve të fundit për ta çuar përpara punën e Dhomës. Pres me kënaqësi të punoj me të gjithë ju për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi biznesi që do t’i ndihmojë kompanitë tuaja të lulëzojnë dhe, më e rëndësishmja, ta ndihmojë Shqipërinë të arrijë potencialin ekonomik që ajo e meriton me të vërtetë.
(Fjalë e mbajtur dje më 20 prill 2016, gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Amerikane të Tregtisë)