E drejta e votës do të prodhonte në legjislaturën e ardhshme më shumë se një Eduart Ndocaj në shërbim të emigrantëve

Emigracioni

albani-vota e emigranteve

Alban DACI / Emigracioni ka nevojë për një Eduart dhe disa të tjerë.

Emigrantët vazhdojnë të jenë të braktisurit e  mëdhenj nga Shteti amë e vazhdojnë të jenë të përbuzurit e mëdhenj të shteteve ku jetojnë. Në lidhje me Shtetin amë ka një problem të madh e kjo lidhet me mosinteresimin e tij për këtë shtetas që fati i largojë atje tutje në dhe të huaj.

Eksperienca e Shtetit pas 25 vitesh që kur nisi eksodi i madh duhet të ishte e mjaftueshme për të qenë më funksionues dhe më pranë halleve të tyre. Megjithatë, kjo eksperiencë nuk ka shërbyer aspak për mirë, por përkundrazi në keqësimin e situatës.

Ka plot raste që dëshmojnë mosinteresimin e Shtetit për fatin e shtetasve të tij. Sot, një shtetas shqiptar postonte në profilin e tij të facebook shërbimin e dobët të Konsullatës së Milanos e deri diku këtë institucione bashkë me Shtetin Amë i kishte quajtur antikombëtar me politika antikombëtare.

Problemet që ngrinte ai kishin të bënin me funksionimin administrativ të shërbimit konsullor e po ashtu me kushte të vështira të mikpritjes në mjediset e saj e kjo është çështje tipike e indiferentizmit dhe mos funksionimit të Shtetit shqiptar.

Ky shtetas denoncon vonesat e tepruara vetëm për të tërhequr një pasaporte e po ashtu përshkruante si ç’njerëzore kushtet në Sallën e pritjes, ku fëmijë, zonja, zotëri, të reja e të vjetra nuk mbushin me frymë. Mbipopullim dhe mungesa elementare e një respiratori. Kusht që me ligj në Itali e ka çdo mjedis i mbyllur, por duke qenë se Konsullata me ligje ndërkombëtare është tokë shqiptare, aty nuk ka ligje italiane, por modele të shëmtuara të institucioneve shqiptare.

Qytetari i “shkretë” që pati guximin të denonconte online këtë situatë, kishte lënë ditën e punës dhe po priste pafundësisht në Sallë për të marrë një pasaportë e cila si praktikë administrative nuk duhet të zgjas më shumë se 10 minuta.

Sapo qytetari bëri reagimin e tij në facebook, menjëherë u sensibilua deputeti Ndocaj i cili bërë reagimin e tij në faqen e tij zyrtare dhe pastaj edhe në mediat online. Punonjësit e Konsullatës që ankohen për personel të kufizuar, kanë kohë të kontrollojnë statuset e deputeti Ndocaj dhe me ta lexuar reagimin e tij e thërrasin nga salla qytetarin duke i ofruar menjëherë zgjidhje të  hallit të tij.

Ka plot raste të mosfunksionimit të Konsullatës së Milanos dhe të zyrave të tjera konsullore nëpër Europë. Deputeti Ndocaj dhe jo vetëm e ka ngritur këtë çështje edhe në instancat kryesore dhe disa herë ka pasur edhe përplasje të drejtpërdrejta me Ministrin e Punëve të Jashtme, i cili përtej retorikave boshe nuk ka bërë asgjë në përmisimin e situatës që jo vetëm është e turpshme, por edhe antikushtetuese.

albani sebashku me deputetin ndocaj

Nuk ka çfarë të presin emigrantët nga Ministër i cili është i pari që nuk ka dëshirë të respektoj rregullat që diplomacia shqiptare dhe botërore ka vite që i ka kodifikuar edhe në traktate. Ai ka vendosur të sfidojë fatin e emigrantëve duke bërë emërime “nepotike” që nuk respektojnë asnjë lloj kriteri. Pra, sot në shumicën e selive diplomatike nuk kemi profesionist, por njerëz që janë aty për të marr një rrogë ose ryshfet!

Situata në shërbimet diplomatike shqiptare e sidomos në Itali është në një situatë të turpshme e këtë na shprehin për çdo ditë emigrantët apo edhe shoqatat shqiptare që prej vitesh kanë veprimtarinë e tyre në territor.

Bushati nuk do të jetë përjetësisht Ministër i Jashtëm. Maksimumi edhe gjashtë muaj i kanë mbetur dhe pasta ai s’do të ketë më shansin të jetë më. Megjithatë, do të mbahet gjatë mend nga emigrantët që do të kenë mundësinë ta takojnë nëpër aeroporte si një qytetar të thjeshtë e ndoshta nuk do të kenë më burokraci për t’i kërkuar llogari.

Deputeti Ndocaj është kthyer simboli I emigracionit dhe mandatin e tij e ka vënë në shërbimin e tyre dhe ka ndihmuar shumë prej tyre që janë përbuzur nga zyrat konsullore. Megjithatë, duke parë braktisjen që Shteti u ka bërë emigrantëve, ata kanë nevojë më shumë se kurrë për një Eduart.

Ishte herë e parë që Emigrantët patën një deputet një emigrant si ata. Kjo eksperiencë konfirmojë faktin, që emigrantët duhet të luftojnë më shumë për të drejtat e tyre dhe ajo me e rëndësishmja është Ushtrimi i të Drejtës së Votës që do të prodhonte në legjislaturën e ardhshme më shumë se një Eduart Ndocaj në shërbim të emigrantëve dhe të kauzave të tyre.

Në një situatë të indiferentizmit të Shtetit dhe mosfunksionimit të shërbimit diplomatik, zgjidhja me e mirë është beteja për Ushtrimin e Votës së Emigrantëve. Kjo është një betejë e çdo emigranti apo shqiptari që jeton jashtë. Vetëm deputetët që do të dilnin nga Vota e Emigracionit do të nxirrnin në shesh maskën e turpshme të shërbimit diplomatik.

Nga Alban Daci