Franca po e refuzon hapjen e negociatave për Shqipërinë, nën argumentin se shqiptarët renditen të parët për sa i përket numrit të azilkërkueseve.
Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2018 numëroheshin 9,655 azilkërkues nga Shqipëria në Francë, duke u renditur kështu nacionaliteti i dytë më i madh, pas afganëve.
Numri azilkërkuesve nga Afganistani, i cili nuk konsiderohet një vend i sigurt, sikurse është Shqipëria, ishte 10,340 me një diferencë shumë të ulët me Shqipërinë.
Në 2017-n, shqiptarët renditeshin të parët në Francë si azilkërkues me 12,130 aplikime, duke shënuar rekord aplikimesh, që prej të dhënave të para historike që ka Eurostat mbi azilkërkuesit.
Që prej 2008-s në Francë kanë aplikuar për azil mbi 45 mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe e aplikimeve janë përqendruar gjatë 3 viteve të fundit, me 29,290 aplikime, sa 65% e totalit të aplikimeve në dekadën e fundit.
Trendi gjatë shtatë muajve të parë të 2019-s ka qenë sërish në rritje, me një mesatare prej 834 aplikime në muaj. Nga janari deri në korrik numëroheshin në total 5,835 aplikime nga shqiptarët në Francë, 25% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2018.
Edhe pse refuzohen, shqiptarët nuk dorëzohen lehtë, numrin më të lartë të kërkesave për rishikim
Ndonëse ishin të dytët për sa i përket numrit të aplikimeve kanë shanset më të ulëta, krahasuar me vendet e tjera të origjinës që kanë aplikuar në Francë, me vetëm 1.3% të kërkesave të pranuara nga aplikimet e bëra për herë të parë dhe 5.3% të totalit të kërkesave të rishikuara. Numri i aplikimeve të reja gjatë 2018-s nga shqiptarët ishte 8,311, prej këtyre kërkesave janë pranuar vetëm 74, ndërsa janë refuzuar 5,742.
Ndonëse kanë një normë shumë të lartë të refuzimit, shifrat tregojnë se shqiptarët nuk dorëzohen në lehtë. Në fazën e dytë të rishikimit të kërkesave, aplikimet nga shqiptarët janë më të lartat. Tek rishikimet, aplikuan në total 6,396 shqiptarë, ku u pranuan 155 dhe u refuzuan 2,762 të tjerë.
Në krahasim me Shqipërinë, Afganistani që është u rendit si vendi i parë më numrin më të lartë të aplikimeve për aplikimet për herë të parë kishin një normë pranimi prej 13.3%, ndërsa në rishikimin e kërkesave norma e pranimit të kërkesave ishte 50.3%.
Gjatë vitit 2018 aplikuan për azil në Francë 114,507 individë të kombësive të ndryshme.