Erget Cenolli / Bashkitë në duart e partive politike. Edhe pse zgjedhjet vendore janë zgjedhje të drejtpërtëdrejta, ku komunat dhe bashkitë të përfaqësohen e të zgjidhen nga vetë populli, fati i tyre është në duart e partive politike, ku këta vendosin se cfare ngjyre politike do te ketë bashkia apo komunat. Thua se këto komuna apo bashki i përkasin vetëm një ngjyrë politike dhe jo gjithë popullit. Ditët e fundit, disa gazeta po shfaqin harta elektorale, ku tregohet se me marrëveshjen e fundit PS- LSI, gjithë Shqipëria politike do të ngjyroset me bojërat kuq dhe rozë, pra ky koalicion do të fitojë në mbi 90% të Njësive vendore.
Nëse kjo hartë realizohet në zgjedhjet e 21 qershorit të 2015, atëhere do të ndodhë katastrofa më e madhe politike pas viteve ’90-të.
Marrja e pushtetit lokal prej forcave që përbëjnë pushtetin qëndror është vdekjeprurëse për Demokracinë në Shqipëri. Kjo do të anonte peshën e ekuilibrit politik vetëm nga krahu i majtë dhe “de fakto”, Shqipëria do të përjetojë një periudhë moniste. Rrjedhimisht censura politike dhe mungesa e fjalës së lirë do të jenë fenomentet e para etatiste që do të pushtojnë vendin. Liria e shtypit do të bjerë në nivelet më të ulta (kundër pushtetit do të mund të flasin vetëm disa kokëkrisur, të cilët në një formë apo një tjetër do të përfundojnë me domosdo në burg).
Kjo dukuri shumë e rrezikshme duhet luftuar fort nga të tre faktorët: media e lirë, opozita politike dhe shoqëria civile.
Të tre këta faktorë, në kohën e shkurtër që ka mbetur deri në zgjedhje, duhet të bashkërendojnë veprimet për të sensibilizuar opinionin publik dhe masën e gjerë të votuesve, se votimi edhe në pushtetin lokal për koalicionin qeveritar është vdekje për demokracinë tonë , e cila edhe kështu është shumë shumë e brishtë.
Le të shpresojmë për një ndërgjegjësim sa më të shpejtë të popullit të shumëvuajtur shqiptar.