Fatkeqësitë natyrore: Një “plagë” e hapur për gjithë shoqërinë

Psikologji

Fatkeqësitë natyrore jo vetëm që kanë efekte të dhimbshme në ekonominë dhe mjedisin e një vendi, por edhe në shëndetin psikologjik të njerëzve
Ka disa lloje të ngjarjeve të zakonshme traumatike që çojnë në Çrregullimin e Stresit Post Traumatik (PTSD). Midis tyre lloji i traumës që vjen nga fatkeqësitë natyrore si tërmetet, uraganet, zjarret në pyje, përmbytjet, shpërthimet vullkanike, rrëshqitjet e dheut, cunami.

Këto përvoja janë veçanërisht “tinzare”, sepse ato tentojnë të traumatizojnë një numër të madh njerëzish në të njëjtën kohë dhe mund të çojnë në ndjenja faji, si dhe simptoma të tjera kërcënuese për shëndetin tek të mbijetuarit.

Përkufizimi i fjalës “traumë”
Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë, trauma përkufizohet si “një përgjigje emocionale ndaj një ngjarjeje shqetësuese si një aksident, përdhunim ose fatkeqësi natyrore”. Megjithatë, Peter Levine (një teoricien i njohur i traumës psikologjike) e karakterizon traumën jo nga ngjarja, por nga reagimet e dikujt ndaj saj. Ai shpjegon se çdo përvojë e dhimbshme mund të shkaktojë traumë dhe se trauma njihet vetëm nga simptomat e saj.

Efektet tek të prekurit


Ashtu si shumë shkaqe të traumave, fatkeqësitë natyrore mund të jenë të papritura dhe dërrmuese. Reagimi më i menjëhershëm dhe tipik ndaj një fatkeqësie është shoku i cili fillimisht shfaqet si “mpirje” ose mohim. Më pas, shoku i lë vendin një gjendjeje hiperemocionale që shpesh përfshin nivele të larta ankthi, faji ose depresioni.

Njerëzit mund të kenë humbur të dashurit ose shtëpitë e tyre. Si rezultat, ata mund të ndihen të pafuqishëm. Ata gjithashtu mund të duhet të jetojnë në kampe ose strehimore pa mbështetje nga të afërmit ose miqtë për periudha të gjata kohore. Megjithatë, të jetuarit me të mbijetuarit e tjerë zakonisht ofron një moment ngushëllues rilidhjeje. Biseda për ngjarjen me një të mbijetuar tjetër na ndihmon të riformulojmë ngjarjen dhe të fillojmë procesin e shërimit.

Fatkeqësitë natyrore kanë gjithashtu karakteristikën e veçantë që i bëjnë viktimat të ndihen “të tradhtuara dhe të braktisura nga Zoti”, gjë që mund të çojë në humbjen e besimit. “Pajtimi me hyjnoren” mund të jetë një hap drejt shërimit dhe rifitimit të besimit, gjë që mund të jetë jetike për shëndetin e viktimave.