Emri më i ri i kuotuar për të zëvendësuar De Biasin është ai i Inzaghit dhe ish-legjendës braziliane Roberto Carlos
Federata Shqiptare e Futbollit akoma nuk e ka zgjidhur çështjen e trajnerit të ri të kombëtares kuq e zi. Nëpërmjet një komunikate, FSHF ka deklaruar se brenda muajit korrik do të përzgjidhet edhe timonieri i ri i stolit të kombëtares. “Federata e Futbollit kërkon të bëjë me dije të gjithë opinionin publik dhe sportdashës që ka nisur negociatat për të vendosur më pas, në një moment oportun dhe të afërt, emërimin e trajnerin e ri të ekipit kombëtar të futbollit, pas largimit të teknikut Gianni de Biasi. Përzgjedhja e drejtuesit të ri të skuadrës përfaqësuese të futbollit është një proces që kërkon kohën e duhur. FSHF ka nisur pikërisht me procesin e kontakteve dhe bisedave në lidhje me kandidaturat e mundshme, të cilat janë në një numër të konsiderueshëm.
Ato do të vlerësohen dhe pas kontakteve të marra, brenda muajit korrik do të vendoset edhe emri i ri i trajnerit të ekipit kombëtar. Gjatë gjithë kësaj kohe FSHF është në fazën e vlerësimit, kontakteve dhe bisedave për kandidaturat e ndryshme për të marrë drejtimin e skuadrës kombëtare”, është komunikata zyrtare e FSHF-së. Një tjetër emër i rëndësishëm ka përfunduar nën radarët e Federatës Shqiptare të Futbollit. Filipo Inzagi është emri i cili mund të jetë pasuesi i De Biasit. 43-vjeçari është aktualisht trajner i Venecias që sapo e ka ngjitur në serinë B dhe zor se mund të refuzonte një ofertë nga kuqezinjtë të cilët kanë ambicie të mëdha dhe priten të riformojnë skuadrën për të sjellë një frymë të re.
Një lajm i tillë është zbuluar nga gazetari i famshëm italian, Xhanluka Di Marzio i cili si për koiçidencë rezultoi të ishte në një panel me ish-trajnerin e kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi. Mësohet se trajneri Inzaghi do të kthej së shpejti përgjigjen e tij në lidhje me një transferim të mundshëm në shqipëri. Një tjetër emër mjaft i lakuar ditët e fundit është edhe ai i Xhankarlo Kamoleze i cili ka një eksperience të madhe në Serie A dhe B në itali. Ai tashmë është i papunë dhe Shqipëria është një mundësi e artë për teknikun italian.
Valter Zenga, i cili është në listën e FSHF-së, ka theksuar se është i gatshëm të marrë drejtimin e kuqezinjve dhe nëse e kualifikon skuadrën në Euro 2020 atëherë le ta shkarkojnë nga posti i trajnerit pasi objektivi u arrit. Në momentet e fundit në listë ka dalë edhe emri i ish- madrilenit, Roberto Carlos. Vështirë si ai mund të nënshkruaj me kuqezinjtë pasi ka arritur marrëveshjen me një skuadër në Australi. Vetë Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka bërë konfirmime me emra pasi është duke bërë përzgjedhjen dhe përderisa nuk ka asgjë konkrete kërkojnë t’i shmangen aludimeve.
Me emërimin e trajnerit të ri me shumë mundësi objektivi i kuqezinjve për eliminatoret e Botërorit “RUSI 2018” do të jetë i pandryshuar që do të thotë se synimi do të vazhdojë të mbetet vendi i tretë në klasifikim. Kjo për arsye se dy vendet e para udhëhiqen nga Spanja dhe Italia, kundërshtarë këto që vështirë se do të rrinë jashtë kampionatit botëror. Detyra e trajnerit të ri do të përqendrohet në përgatitjen sa më të mirë të skuadrës për eliminatoret e kampionatit evropian të vitit 2020 i cili është edhe objektivi i radhës për kombëtaren shqiptare. Një kualifikim në këtë event do të ishte diçka e jashtëzakonshme. Mbetet për tu parë se kush trajner do të ulet në stolin e kombëtares dhe çfarë filozofie do të ndjekë për të llogaritur më mirë shanset që ka Shqipëria për të surprizuar në kampionatin e ardhshëm europian.
Alban Hoxha
Portieri i Partizanit Alban Hoxha mund ta vazhdojë karrierën jashtë Superligës. Skuadra e sapongjitur në Serie A, Spal ka bërë një ofertë zyrtare për numrin një të portës së kryeqytetasve. Ata kanë ofruar një shumë prej 200 mijë euro për gardianin dhe marrëveshja është shumë pranë. 29-vjeçari ka theksuar vazhdimisht se dëshiron të provojë një aventurë jashtë Shqipërisë dhe duket se ky është momenti ideal për të arritur një gjë të tillë. Lojtari ka edhe mirëkuptimin e drejtuesve të Partizanit për të provuar një eksperiencë diku tjetër. Gjatë katër viteve te klubi i Partizanit ai ka treguar se është një profesionist i madh si brenda dhe jashtë fushave të blerta. Hoxha është edhe portieri i tretë i Kombëtares Shqiptare të Futbollit.