Gjykata e Lartë e Greqisë ka marrë një vendim (nga i cili përfitojnë edhe shqiptarët pa shtetësi greke) që të huajt që aplikojnë për shtetësi greke nuk janë të detyruar të provojnë një nivel minimal të ardhurash vjetore për të fituar shtetësinë.
Në vendimin e publikuar më 27 maj 2026, gjykata thekson se të ardhurat e aplikantit janë vetëm një nga elementët që administrata merr në konsideratë për të vlerësuar integrimin e tij ekonomik dhe social në Greqi, por nuk përbëjnë kusht të detyrueshëm apo vendimtar.
Sipas gjykatës, autoritetet duhet të vlerësojnë në tërësi situatën e aplikantit, duke marrë parasysh faktorë si punësimi i qëndrueshëm, aktiviteti ekonomik, pagesa e taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore, si dhe lidhjet e krijuara me jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit.
Vendimi pritet të ketë ndikim në shqyrtimin e kërkesave për marrjen e shtetësisë greke, pasi kufizon mundësinë e administratës për ta përdorur nivelin e të ardhurave si kriter përjashtues për marrjen e shtetësisë greke.
Ekspertët e çështjeve të emigracionit në Greqi e konsiderojnë këtë një fitore të rëndësishme për të drejtat e emigrantëve dhe një rikthim te fryma reale e integrimit social, përtej kritereve të “thata” ekonomike.


