Hakerat në Zvicër vjedhin numrat e telefonave celularë 2800 policëve

Bota

Hakerë të paidentifikuar arritën të kenë akses në numrat e telefonit celular të 2800 oficerëve të policisë në kantonin e Bernës, Zvicër, thanë autoritetet.

Si fituan akses?

Përmes një defekti sigurie në një aplikacion të përdorur nga të gjithë oficerët e policisë në telefonat inteligjentë të tyre, hakerët fituan akses në këto të dhëna, tha zëdhënësja e policisë Florina Schenk të premten mbrëma.

“Ka pasur rrjedhje të të dhënave, pra emrave dhe numrave të telefonit të punonjësve që kanë celular”, sqaroi ajo në televizionin publik SRF. Sipas autoriteteve tani për tani, duket se të dhënat e marra në këtë mënyrë nga hakerat nuk janë shpërndarë më gjerësisht.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (NCSC) njoftoi policinë e Bernës më 21 korrik për defektin e sigurisë në aplikacionin “MobileIron”, por megjithëse problemi u rregullua shpejt, informacioni tashmë kishte rrjedhur.

“MobileIron”, një aplikacion i përdorur gjerësisht në shumë vende, lejon punonjësit e një biznesi ose një autoriteti administrativ të lidhin në mënyrë të sigurt pajisjet e tyre celulare me serverët e punëdhënësit.

Policia e Bernës tha se nuk kishte asnjë ide se cilët ishin autorët e vjedhjes së të dhënave, por tha se kishte nisur një hetim penal.