Nga ODISE PLAKU /
E dini që unë i dua shumë ata që më urrejnë?!
Po! Po! I dua më shumë se ata që më dashurojnë,
që më përqafojnë, më puthin dhe më ledhatojnë,
që në çdo orë të ditës apo të natës janë me mua.
Nuk është lajthitje moshe, a frikë nga urrejtja e tyre,
që në fabrikë të shpirtit e mbledh si lëndë të parë.
E përpunoj me teknologjinë më moderne të zemrës
për t’ua dhuruar në cilësinë më të lartë të dashurisë.
Mos kërkoni asnjë mëdyshje a hije në fjalën time!
I dua ata që më urrejnë, se dua t’i bëjë për vete,
t’i kem pjesë të jetës në një ditë kur do vdesë urrejtja
dhe në pendesë do përqafohemi me mallin e madh.
Është shumë e lehtë të shtysh në greminë njeriun,
është e vështirë ta mbash nga dora përbri zemrës sate.