Idrizi “rrëzohet”, PDIU shumë afër largimit nga koalicioni

976

Nga Isuf Kurtaj

Vettingu, procesi që thuhet se ka ndezur tensionin politik ka nisur fazën tjetër. Parlamenti i Shqipërisë votoi dje si anëtarë të komisionit adhoc ligjvënësit socialistët Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi si dhe deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama. Në mungesë të opozitës dhe zërave për të tjera lëvizje të LSI-së, mazhoranca kishte 87 vota dhe zgjodhi 3 anëtarë të saj në komision, Vasilika Hysin, Ulsi Manjën dhe Luan Ramën. Ndërkohë, Kuvendi nuk ka miratuar caktimin e Shpëtim Idrizit, kreut të PDIUsë si anëtarë të komisionit, duke marrë vetëm 23 vota pro dhe 7 kundër, ndërsa 50 tët tjerë kanë abstenuar. Opozita nuk mori pjese duke vijuar bojkotin e Kuvendit.

Reagimi

Kryetarja e Grupit Parlamentar të PDIUsë, Mesila Doda edhe jashtë sallës së Kuvendit shprehu zhgënjimin për mospërzgjedhjen e Shpëtim Idrizit si anëtar të komisionit ad-hoc për vetting-un. Sipas saj, një gjë e tillë nuk e ndihmon marrëdhënien mes aleatëve qeverisës. “Është çuditshme si erdhën dy kandidatura në emër të PS-së. Së pari tentuan të kalonin PDIU si pjesë të opozitës. Por ne kemi dy vjet që kemi kaluar në koalicion me PS-në. Ne nuk kemi pasur ndërmend të bëhemi pjesë e kësaj farse. Pastaj zgjodhën këtë formë, pasi u shkatërrua procesi mes mazhorancës dhe opozitës. Dua të them që ata duan ta kontrollojnë gjithë procesin, por në fakt është ai, sovrani që vendos”, sqaroi ajo. E pyetur nëse “djegia” e kandidaturës së Idrizit do të ndikonte në marrëdhëniet mes aleatëve dhe nëse PDIU-ja do ishte sërish në koalicion me Ramën ajo u përgjigj: “Do të kemi vendim shumë shpejt, do të kemi një konsultim të gjerë më parë.

Kjo nuk e ndihmon aspak marrëdhënien mes aleatëve, ishte një proces që u shkatërrua”, përfundoi Doda. Dhe kreu i Partisë Libra, deputeti Ben Blushi tha se nuk kishte votuar asnjë nga kandidatët për anëtar të komisionit ad-hoc të Vettingut. Ai iu drejtuar deputetes Vasilika Hysi, një prej anëtareve të zgjedhura, që t’i kërkonte Ramës të dorëhiqej. Blushi tha se Hysi nuk mund të votonte njëkohësisht edhe për Elvis Rroshin dhe për Prokurorin që e heton. “Ja vlen t’ju pyes sot: çfarë keni bërë sot? Bëni votim për komisionet e Vetting-ut, Vettingu prapë është i bllokuar. Gjysma e komisioneve nuk kanë për të ardhur. Sepse ka dy paradokse ky votim. E para, gjysma e komisioneve nuk do të jenë për shkak se jemi një krizë politike që po bllokon zgjedhjet dhe drejtësinë. E dyta, unë nuk votova për asnjë nga 4 kandidatët dhe ua them pse.

Një nga kandidatë është një zonjë që unë kam shumë respekt, Vasilika që është këtu në sallë. Çfarë paradoksi ka Vasilika? Ti zonjë u përzgjodhe për Komisionin e Vettingut që ka për detyrë të zgjedhë gjyqtarët dhe prokurorët e rinj të Shqipërisë. Po dëgjoja një lajm është i trishtueshëm. 3 mijë bebe më pak. Nuk lindin më shqiptarët. Janë depresivë, janë të dëshpëruar, nuk kanë më shpresë. Për këtë do të mbahet mend ky kryeministër dhe ky duhet të japë dorëheqjen. Vasilika duhet ta bindësh që të japë dorëheqjen për të shpëtuar Vetting-un dhe për të zhvilluar zgjedhjet. Nuk ka rrugë tjetër. Ti nuk mund të pranosh të votosh edhe për Elvis Rroshin dhe për prokurorin që heton Elvis Rroshin. Kjo është e pamundur. Këtë nuk mund ta bëjë i njëjti njeri Vasilika, ti nuk mund ta bësh. Jep dorëheqjen edhe vetë nga Vetting-u ose thuaj këtij të ikë. Jepni Shqipërisë pak më shumë bletë e pak më shumë bebe, duke hequr këtë nga pushteti, duke zhbllokuar Vettingut, dhe mos bëni gabim t’i thoni mos ikë se është gati për të ikur”, tha Blushi. Pak orë para përfundimit të afatit të dorëzimit të emrave të kandidatëve, kryeministri Rama shkruante se “Në kuvend nis rruga e Vetting-ut.

Mund ta bllokojnë përkohësisht por s’do ta pengojnë popullin të heqë qafe pengmarrësit e drejtësisë”. Vetting-u është kryefjalë edhe e ndërkombëtarëve që theksojnë nevojën e zbatimit në mënyrë që Shqipëria të përfitojë hapjen e negociatave për anëtarësim. Seanca e djeshmë ishte ndër më të rëndësishme për sa i përket reformës në drejtësi. Ligi Për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, në nenin 8 pika 1, sanksionon që komisioni ad hock përbëhet nga gjashtë anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare. Në interpretim të ligjit dhe Kushtetutës, ekspertët argumentojnë se në komision ad hoc për vetting-un, përfshihen të gjitha partitë që kanë grup parlamentar qoftë në mazhorancë apo në opozitë, por në kushtet kur mazhoranca apo opozita ka më shume se tre grupe parlamentare vendet i zënë forcat që gëzojnë më shumë deputetë.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: