INSTAT, në qershor ulen eksportet rriten importet

Ekonomi

Instituti i Statistikave njoftoi se eksportet gjatë muajit qershor janë ulur me 0,3 përqind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,1 përqind, në krahasim me muajin maj të këtij viti.

Sipas këtij instituti kjo rënie e eksporteve, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -11,4 pikë përqindje.
Kjo rënie ndikohet edhe nga arsyeja se prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj, po e shet një pjesë të konsiderueshme të naftës në vend.
Ndersa importet e mallrave në Qershor 2017 janë rritur me 8,4 përqind, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,3 përqind, në krahasim me muajin maj.
Rritja e importeve këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “materiale ndërtimi dhe metale” me +3,7 pikë përqindje, “ushqim, pije, duhan” me +2,4 pikë përqindje. Deficiti tregtar i këtij muaji qershor është rritur me 15,1 përqind, krahasuar me qershorin e vitit 2016 dhe me 7,9 përqind në krahasim me muajin maj.
Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me vendet e BE zënë 68,8 përqind, të gjithë tregtisë.