Izraeli ka nisur një fushatë vaksinimi ndaj poliomielitit pas rastit të parë të sëmundjes në më shumë se tre dekada, njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë, duke shprehur shqetësimin se pjesëmarrja e qytetarëve mund të jetë e kufizuar për shkak të lodhjes nga pandemia COVID-19.
Poliomielitida është një sëmundje virale e trurit dhe palcës kurrizore që mund të çojë në paralizë të pakthyeshme. Kryesisht prek fëmijët nën 5 vjeç. Izraeli filloi vaksinimin kundër sëmundjes në vitin 1957 dhe rasti i fundit i regjistruar ishte në 1988.
Megjithatë, që nga muaji mars një vajzë është diagnostikuar me këtë sëmundje dhe të paktën gjashtë raste asimptomatike janë identifikuar në zonën e Jerusalemit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Ata ishin të gjithë të pavaksinuar. Virusi u zbulua në ujërat e zeza nga tre qytete të tjera, shtoi ai.
“E konsideroj shumë serioze. Numri i rasteve mund të jetë i vogël për momentin, por kjo është maja e ajsbergut,” tha Nahman Ass, sekretari i përgjithshëm i ministrisë, për stacionin radiofonik 103 FM të Tel Avivit.
Vaksinat e poliomielitidas u jepen në mënyrë rutinore fëmijëve në Izrael. Për shkak të një ndryshimi të politikës midis 2005 dhe 2014, disa fëmijë morën një dozë orale në vend të një vaksine me dy doza. Tashmë ministria po fokusohet tek fëmijët që nuk janë vaksinuar fare ose ata që kanë marrë një dozë orale. Ndryshe nga fushatat e mëparshme të vaksinimit ndaj poliomielitit, “këtë herë është shumë më e vështirë. Njerëzit janë të lodhur nga koronavirusi, të lodhur nga vaksinat (kundër COVID-19),” tha Ai.