Analiza e deklarimeve pasurore të 61 kryetarëve të pushtetit vendor. Pronat e patundshme, vlera e pasurive që kanë dhe prejardhja e milionave që deklaruan. Shumica nuk refuzuan që të tregojnë luksin…
Kryetarët e bashkive të Shqipërisë zotërojnë pasuri të shumta, duke u bërë pjesë e asaj shtrese të zyrtarëve që mund t’i quash të pasur. Sipas një analize të bërë nga portali “Open Data Albania”, bazuar mbi strukturën dhe vëllimin e aseteve të patundshme që zotërohen nga kryebashkiakët e zgjedhur për mandatin drejtues 2015- 2019, rezulton se 46 kryetarë bashkish zotërojnë në total 317 prona të patundshme, me një mesatare prej 7 pronash për secilin prej tyre. Sipas të dhënave 6 kryebashkiakë kanë më shumë se 10 prona të patundshme nën zotërim dhe pronësi individuale dhe familjare. Për sa i përket vlerësimit në të holla të pasurive të patundshme, 25 kryebashkiakë deklaruan se kanë pronësi me vlerë nën 50 mijë euro, 10 vetë deklarojnë se zotërojnë 50 deri 100 mijë euro prona, ndërsa janë 11 kryebashkiakë që zotërojnë prona me vlerë mbi 100 mijë euro.
Deklarimet
Nga 61 kryetarë bashkish që dolën prej zgjedhjeve të qershorit 2015, 46 prej tyre kanë nën zotërim, së bashku me anëtarë të familjes, në total, 317 prona të patundshme. Mesatarja e pronave për çdo kryebashkiak është 7. Gati gjysma e këtyre pronave janë troje, toka bujqësore dhe zyra ndërsa pjesa tjetër janë banesa. Gjithsej janë 141 banesa; 50 troje; 46 toka bujqësore kullota dhe pyje; 72 ambiente shërbimi si dyqane, zyra dhe parkingje. Vetëm për një rast prona është deklaruar jashtë vendit, sepse kryetari i bashkisë së Cërrikut, Altin Toska, ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 85 metra katror, një garazh me sipërfaqe 25 metra katror dhe një kantinë me sipërfaqe 8 metër katror në Breshia të Italisë. Vetëm 2 kryetarë bashkish deklaruan se nuk kanë asnjë pronë të patundshme nën zotërim apo pronësi. Sipas kësaj analize të Open Data Albania, rezulton se 6 kryebashkiak kanë më shumë se 10 prona të patundshme nën zotërim dhe pronësi individuale, familjare apo të regjimit martesor, siç janë Basir Çupa, Bashkia Klos; Eduart Kapri, Bashkia Pogradec; Fiqiri Ismaili, Bashkia Vorë; Gjon Gjonaj, Bashkia Pukë; Majlinda Bufi, Bashkia Roskovec dhe Tonin Marinaj, Bashkia Malësi e Madhe. Këtu mund të vendosej edhe Kryebashkiaku Vangjush Dako, i cili ka deklaruar si pronë të vetme një Pallat 11 katesh. Në lidhje me vlerat monetare të këtyre pronave, nuk mund të përllogariten me saktësi sa kohë që këto prona kanë kryesisht specifikime vlere sipas çmimeve të tregut në vite të ndryshme.
Vlerat e pasurisë
Duke konsideruar vlerat e vetëdeklarimit rezulton se 25 kryebashkiakë vetëdeklarojnë për pronësi me vlerë nën 50 mijë euro, 10 kryebashkiakë vetëdeklarojnë se zotërojnë 50 deri 100 mijë euro prona, ndërsa janë 11 kryebashkiakët që zotërojnë prona me vlerë mbi 100 mijë euro. Në disa prej deklaratave të kryebashkiakëve rezulton se ata zotërojnë të njëkohësisht katër kategori pranosh se banesa, troje Sipërfaqe Ndërtimi; Toka Bujqësore Kullota dhe Pyje dhe Ambiente shërbimi si Dyqane Zyra dhe Parking. Të Tillë janë Basir Çupa, Fatos Tushe, Fiqiri Ismaili, Gjon Gjonaj, Jorgo Goro, Përparim Shametaj, Rajmonda Balilaj dhe Qazim Sejdini. Në formularët e deklarimit të pasurisë, kryebashkiakët kanë deklaruar edhe burimin e pasurisë. Nga 61 kryebashkiakë, pesë prej tyre deklarojnë se kanë krijuar pasuri nga puna në emigracion, 7 prej tyre deklarojnë se i kanë pasuritë të trashëguara, 23 kryebashkiakë deklarojnë prona nga të ardhura të siguruara me punë dhe 10 prej tyre deklarojnë se pronat i kanë fituar me proces privatizimi. Nga këta, 24 kryebashkiakë nuk specifikojnë burimin e pasurive.
Pasuritë, pa llogaritje të saktë
Në lidhje me vlerat monetare të këtyre pronave, nuk mund të përllogariten me saktësi sa kohë që këto prona kanë kryesisht specifikime vlere sipas çmimeve të tregut në vite të ndryshme. Vlerat janë vetëdeklaruar sipas proceseve të legalizimeve, momentit të privatizimeve apo blerjeve të hershme. Deklarimi i pasurisë nuk detyron palët të bëjnë deklarime sipas çmimeve të referencës për sipërfaqe ndërtimi apo terreni në pronësi. Kjo praktikë në kushte të një tregu me shumë dinamikë në vitet e fundit, bën të pamundur një vlerësim real. Duke konsideruar vlerat e vetë deklarimit rezulton se 25 Kryebashkiak vetë deklarojnë për pronësi me vlerë nën 50 mijë euro, 10 kryebashkiak vetë deklarojnë se zotërojnë 50 deri 100 mijë euro prona, dhe janë 11 Kryebashkiakët që zotërojnë prona me vlerë mbi 100 mijë euro.
Kryebashkiakët që deklaruan mbi 100 mijë euro
Altin TOSKA
Basir ÇUPA
Fatos TUSHE
Fiqiri ISMAILI
Gjon GJONAJ
Jorgo GORO
Majlinda BUFI
Melaim DAMZI
Qazim SEJDINI
Tonin MARINAJ
Vangjush DAKO