Kë do të arrestojë Rama për hashashin?

Foto e Ditës Kryesore Politika

Reagimi i partisë “Zgjidhja” për qëndrimin e kryeministrit ndaj trafikantëve të drogës !

Shqipëria u damkos në vitin 2016 si vendi kampion i kultivimit dhe qarkullimit kriminal të kanabisit, që furnizoi Europën nga toka, deti dhe ajri. Kryeministri e mohoi për dy vjet rresht. Ai u dorëzua me mbarimin e zgjedhjeve të 25 qershorit, të minuara edhe ato nga paratë dhe mafia e hashashit.

Kryeministri vendosi gjoja objektivin “të kapen kokat e kanabisit ilegal” dhe kjo, sipas tij, nuk qenka aspak punë e vështirë pasi kriminelëve, që i njeh gjithë komuniteti, mjafton t’u shikohen automjetet që lëvizin nëpër rrugë. Këtë kontroll ai ua deklaroi një muaj përpara, duke u a bërë me dije atyre të “makinave të zeza” që do të kontrollohen prandaj t’ia mbathin para se të vijë shtatori.

Në një shfaqje plot pompozitet që u transmetua në Facebook, kryeministri u bëri thirrje të gjithë trafikantëve të dorës së tretë e të katërt që të gjejnë një vend tjetër relaksi, pasi nga shtatori e tutje qarkullimi me “makina të zeza” në rrugët e Shqipërisë është i rrezikshëm për ta. Ata që do të bien në burg, në fakt, nuk do të jenë kokat e trafikut, do të jenë punëtorët, bujqit, ata që i dhanë tokat me qera, shoferët e autoboteve që i kanë çuar ujë bimëve etj. Këta do të jenë “kokat” e kryeministrit për t’u arrestuar, njësoj si familjarët e varfër që shkojnë në burg për faturat e papaguara të energjisë. Është praktikë e Rilindjes që të luftojë të dobëtit. Të fortit do të jenë gjithmonë pranë qeverisë.

ZGJIDHJA ka denoncuar vazhdimisht harbutërinë e qeverisë me hallexhinjtë që kanë punuar në arat e kanabisit për të fituar bukën e gojës. Rilindja nuk do të mund të fshihet pas shifrave dhe 100 e ca “kokat” e hashashit kriminal që i deklaron, do të jenë bujq e punëtorë me mëditje, hallexhinj ose kriminelë të vegjël të provincave.

ZGJIDHJA e ka bërë të qartë se kupola e mafies së hashashit në Shqipëri përbëhet nga drejtorët dhe shefat e policisë, nga drejtuesit e lartë të ministrisë së brendshme dhe nga zyrtarët më të lartë të shtetit dhe të qeverisë. Të gjithë këta zyrtarë të lartë të shtetit dhe të policisë që planifikuan, lejuan, dokumentuan, drejtuan, kontrolluan dhe tarifuan e taksuan me 1/3 në natyrë dhe mjaft kosto e pagesa të tjera në kesh çdo bimë të mbjellur e trajikuar ilegalisht, ishin emërtesë ekskluzive e Kryeministrit. Asnjë nga këta funksionarë nuk është emëruar në detyrë pa miratimin e tij personal. Të gjithë këta njerëz e tradhëtuan kryeministrin apo vepruan me urdhërin dhe bekimin e tij?!

ZGJIDHJA është e vetmja forcë politike në Shqipëri që ka shpalosur një vizion dhe një plan serioz, realist e të mençur për t’ia hequr nga duart mafies qeveritare dhe asaj të drogës tregun e prodhimit ilegal të marijuanës, për t’i mundësuar shtetit të vendosë monopolin dhe kontrollin e tij mbi këtë ekonomi, për të ndaluar burgosjen e djemve dhe vajzave të Shqipërisë për tymosjen e një cigareje hashash dhe për t’u lejuar qytetarëve shqiptarë që të përfitojnë të mirat medikale, industriale dhe ushqimore të kanabisit.

ZGJIDHJA e ka bërë të qartë eksperiencën gati shekullore të shteteve të botës: Sa më shumë represion shtetëror, aq më shumë fitime ka mafia e marijuanës! Qeveria jonë ka bërë politikat që i interesojnë mafies së hashashit. Sa më shumë ta gërvishtim çështjen e kanabisit ilegal të viteve 2015-2017, aq më shumë do bjerë erë të keqe kjo qeveri. E vërteta do të ndriçohet ligjërisht e formalisht kur të shkojnë përpara drejtësisë zyrtarët e lartë të ministrisë të brendshme, drejtorët e shefat e policisë dhe zyrtarët e lartē të qeverisë!

ZGJIDHJA e ka bërë të qartë se Shqipëria duhet të përfitojë nga ekonomia e kanabisit si të gjithë vendet fqinje dhe shtetet e tjera në botë që kanë bërë legalizimin e kanabisit medikal dhe shumë projekte e investime me përfitueshmëri të lartë që bazohet te potencialet e kësaj bime. Qeveria jonë i përshtati idetë e ZGJIDHJES për ta “legalizuar” kanabisin për interesat personale të zyrtarëve të lartë tē “Rilindjes”!

Me të drejtë shtrohet pyetja: kë do të arrestojë kryeministri për hashashin?

Ato që thotë ai janë përpjekje të dëshpëruara për t’u hedhur hi syve partnerëve ndërkombëtarë, ndonjë burokrati në Bruksel apo për t’u dhënë kurajo mbështetësve të tij të paguar brenda vendit dhe ndër diplomatët e huaj në Tiranë, që të shkruajnë raporte e artikuj për vendosmërinë kundër drogës të këtij “Burri të shtetit të Shqipërisë” që do mbahet mend për tumanet, atletet, dëbimin e popullit të tij nga trojet e veta dhe kthimin e ministrisë së brendshme në bordin drejtues të Kartelit Kombëtar të Marijuanës. Në Shqipëri kryeministri nuk gënjen dot më asnjë lopë, jo më njerëzit, sepse edhe fëmijët e dinë të vërtetën e qeverisjes së tij lidhur me hashashin!

ZGJIDHJApërPopullin