Kinë: Rikthet Coronavirus përsëri në qytetin Wuhan

Bota Shendeti

Rikthehet makthi në Kinë, koronavirusi u kthye pas një viti në qytetin ku shpërtheu për herë të parë.

Një vit më parë, Covid-19 u zhduk nga rrugët e Wuhan në Kinë. Por në këtë qytet, ku sëmundja u shfaq për herë të parë në fund të vitit 2019, një shpërthim i ri tani është përhapur për shkak të llojit shumë ngjitës Delta së koronavirusit, duke detyruar autoritetet të nënshtrojnë të gjithë banorët e tij në teste diagnostikuese.

Tre raste të reja të Covid-19 u konfirmuan të hënën në Wuhan, një qytet me 11 milion njerëz, pas shfaqjes në korrik të një shpërthimi të llojit Delta në Kinën lindore. Asnjë rast lokal i infeksionit nuk është raportuar në qytet që nga maji i vitit 2020.

Rishfaqja e epidemisë është një goditje për Wuhan, qytetin e parë në botë ku u vendos një bllokim më 23 janar 2020 për 76 ditë. Që atëherë, jeta është kthyer në normale, me banorët që thonë se jetojnë në “qytetin më të sigurt në botë”.

Wuhan, në brigjet e lumit Yangtze, “menjëherë fillon kryerjen e testeve diagnostike molekulare për të gjithë banorët,” tha Li Tao, kryebashkiaku. Gjithsej shtatë punëtorë nga provincat e tjera kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, njoftuan autoritetet dje. Katër prej tyre, megjithatë, janë asimptomatike.

Çfarë masash do të merren

Kina pothuajse kishte arritur të zhdukte epideminë në territorin e saj deri në pranverën e vitit 2020, me kthimin e jetës në normalitet, pavarësisht shfaqjes së shpërthimeve të reja sporadike dhe shumë të kufizuara të Covid-19.

Por shpërthimi i ri i llojit delta, i identifikuar për herë të parë në Nanking në korrik, po përhapet me shpejtësi. Sot, autoritetet kineze njoftuan 90 raste të reja të Covid-19. Në shkallë vendi, të paktën 400 raste janë të lidhura me shpërthimin në qytetin lindor kinez të Nanjing.

Përballë rrezikut të ringjalljes së epidemisë Covid-19, qeveria kineze ka përdorur masa të ngjashme me ato që kishte marrë në fillim të vitit 2020: bllokim, kufizime udhëtimi, fushata të përgjithshme testimi.

Në Nanjing, shtëpia e më shumë se 9 milion njerëzve, të gjithë i janë nënshtruar dy herë testeve diagnostikuese të koronavirusit dhe një fushatë e tretë është duke u zhvilluar.

Në qytetin Yangzhou, pranë Nanjing, është vendosur një bllokim pasi 40 raste të reja Covid-19 u zbuluan vetëm të hënën. Sipas masave kufizuese, vetëm një anëtar i secilës familje mund të largohet nga shtëpia një herë në ditë për të bërë pazaret e nevojshme.