Nga Koço Kokëdhima /
Edi Rama u tha dje shqiptarëve se qeveria e tij e dytë do të jetë më shumë se e PS-së. Kabineti “Ps+”, në fakt, është vetëm bastardimi i mëtejshëm i Rilindjes së katër viteve të shkuara.
Emrat e qeverisë së re, duhet të ishin miratuar në kryesi, por Rama u mjaftua vetëm duke çuar listën dhe marrë votën e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.
Ministra që vijnë nga radhët e PS-së janë minorancë dhe në poste pa peshë, ndërsa ministrat e Rilindjes janë të plotëfuqishëm, zotër të dy-tre ministrive të shkrira bashkë dhe do të menaxhojnë shumicën dërrmuese të fondeve të buxhetit, pasuritë, koncesionet dhe kontratat.
Rama u tall me PS-në duke emëruar të vetmin “veteran” të saj, Pandeli Majkon, si ministër pa portofol, duke i dhënë çelësat e kashtës të një ministrie pa fonde dhe pa vartës, por përgjegjëse për Diasporën Shqiptare, e cila është po aq sa popullsia zyrtare brenda kufijve të vendit!!!
Me “PS+”, Edi Rama do të kontrollojë e komandojë të gjitha fijet e shtetit duke vendosur personalisht e pa transparencë për gjithçka dhe duke shmangur plotësisht institucionet. Në vend të shtetit, që premtoi duke kërkuar për vete timonin dhe tepsinë, mbi rrënojat e themeleve të tij, Ai po ngre kultin, pushtetin dhe sundimin e tij. Rama ka tani një kabinet të ri qeveritar, por jo platformë qeverisëse, program e strategji kombëtare zhvillimi, përparësi dhe plane konkrete në interes të shtetit, të ligjit dhe të pupullit. Ai e ka përqëndruar pothuajse, të gjithë pushtetin në 4-5 duar, që janë faktikisht duart e tij!
“PS+” nuk do të ketë si prioritet infrastrukturën e shkatërruar. Nuk do të merret kush me rrugët gjysmake të Saliut, që Rama i la rrugëve më keq se ai, as me hekurudhën që po shkon e tëra për skrap, as me ujësjellësat që ua plasën buzën shqiptarëve për një pikë ujë, as me kanalizimet, as me strehimin e shqiptarëve pa një çati mbi kokë.
“Rama 2” nuk do të ketë prioritet as punësimin e shqiptarëve. Kryeministri tha se i hapi 300 mijë vende pune në ekonomi, gjatë mandatit të parë dhe se do të hapë 220 mijë të tjera në mandatin e dytë dhe pse, në vend, nuk është shtuar asnjë post pune! Ndaj dhe ish-ministrinë e Punës, ia ka lënë superministrit Arben Ahmetajt që do të kontrollojë edhe ekonominë, edhe financat, edhe INSTAT-in(!).
Qeveria e re nuk do të ketë prioritet as rininë dhe sportin, që u janë shtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, as Mirëqenien Sociale, që i është bashkangjitur Ekonomisë e Financave dhe as Kujdesin Social, që i është varur si qese serumi shëndetësisë falas të koncesioneve vrasëse.
Qeveria e re nuk do të jetë ajo e integrimit të Shqipërisë në Europë, por e integrimit me Serbinë në Jugosllavinë e re. Integrimi i vendit në BE është diçka për të cilën do të flitet gjithnjë e më pak, prandaj dhe u është besuar “delenxhinjve” dhe “të leshtëve”, siç i cilësoi Rama diplomatët shqiptarë nëpër botë.
ZGJIDHJA nuk ka asnjë dyshim, se çfarëdo kabineti qeveritar që të hartojë, Edi Rama nuk është aty për të qeverisur shqiptarët. Ai i do ministritë dhe ministrat vetëm për të qeverisur interesat e oligarkisë së korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Ministrat e Edi Ramës, si rregull, janë servilë, mediokër, intrigantë dhe kukulla të Rilindjes. Kryeministri krijon vazhdimisht alibira, për ta mbuluar nivelin mjeran të kabineteve të tij, përmes disa zgjedhjeve rastësore dhe periferike, por gjithmonë ndër njerëzit me nivel e formim të ulët që të mos i “bëjnë hije shefit”!
Ministrat që u dogjën në qeverinë e shkuar, si Saimir Tahiri, mungojnë formalisht në kabinetin e ri, por ata do jenë “ministra në hije”. Atyre do t’u jepen në kontroll si feude politike dhe hapësira okulte pushteti, superagjencitë që krijohen nga bashkimet e agjencive aktuale.
#ZgjidhjaPërShtetin