Themeluesi i Lëvizjes “ZGJIDHJA” Koço Kokëdhima, i ftuar në emisionin “Udhëkryq” në “Adrianet” në Durrës është pyetur sesi e vlerëson qëndrimin e ndërkombëtarëve në momentin aktual, në kushtet e kësaj krize. Kokëdhima është përgjigjur:
“Kur flasim për ndërkombëtarët ne kemi parasysh diplomacinë dhe institucionet e Bashkimit Europian, në radhë të parë, pastaj kemi parasysh SHBA-të si partner prioritar strategjik i Shqipërisë dhe në radhë të tretë kemi gjithë mjedisin tjetër ndërkombëtar. Por këto dy të parat janë thelbësore në kuptimin e ndikimit politik, në politikën zyrtare të Shqipërisë. Politika jonë duhet të jetë në gjendje ta sensibilizojë Bashkimin Europian që të luajë rolin e duhur përpara se këtu të ndizet flaka. Sepse kemi shumë përvoja nga këto 26 vite dhe ne nuk duhet të presim që kur të ndizet zjarri në Tiranë dhe në Shqipëri, ata të vijnë me zjarrfikësit dhe me kapacitetet tyre dhe të shuajnë zjarret këtu. Shqipëria i ka të gjitha kushtet që t’i zgjidhë problemet e veta me burimet e saj. Dhe unë do të propozoja që sot partitë politike që janë të interesuara për zgjedhjet në Shqipëri të krijojnë një delegacion dhe të shkojnë në institucionet e Bashkimit Europian, në Bruksel dhe të diskutojnë Reformën Zgjedhore, datën e re të zgjedhjeve. Duhet të ndërgjegjësojnë edhe Brukselin që situata që kemi në Shqipëri është me shumë rreziqe dhe nuk mund të zgjidhet me rekomandimet e ambasadorëve, me deklarimet me shumë kuptime, ose me ato deklarimet me arra në gojë, derisa këtu të ndizet zjarri. Situata dhe vendi po shkojnë drejt destabilizimit. Kush nuk ka mendje të kuptojë, sy që të shikojë dhe nuk ka logjikë që të kuptojë nuk mund ta vërë re këtë që them unë. Kur unë shoh sot akoma që ka shtetarë që thonë se do të bëjnë zgjedhje pa opozitën më rrënqethet mishi. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Nuk do të bëhen zgjedhje në Shqipëri pa opozitën. Vetëm të marrët mund të mendojnë se do bëhen zgjedhje në këtë vend pa opozitë. Opozita është gjysma e popullit shqiptar dhe ajo gjysma e popullit shqiptar nuk përjashtohet dot nga askush. Qeveria mund të ikë, por kjo gjysma e popullit nuk mund të ikë. Kjo gjysma e popullit ka të drejta të patjetërsueshme. Kauza e zgjedhjeve të lira është kauzë e popullit, e qytetarëve dhe e të majtëve. Është një gafë e rëndë e qeverisë së PS-së që e ka lëshuar kauzën e zgjedhje të lira ta mbajnë në duar Berisha dhe PD-ja, që janë dy mëkatarët më të mëdhenj përsa i përket zgjedhjeve në Shqipëri. Krimet më të rënda elektorale i ka bërë Partia Demokratike në këto 20 e ca vite në Shqipëri. Partia Socialiste, lidershipi i saj, nuk u distancua nga kjo kulturë e vjedhjes dhe e manipulimit të votës, iu bashkua asaj kulture dhe erdhi në një pikë që të dy palët vjedhin, manipulojnë dhe trafikojnë vota dhe nuk e lënë Shqipërinë që të ngrejë kokë. Janë të lumtur në këtë tokë vetëm ai grushti i qeveritarëve të majtë dhe të djathtë, të dy palët janë të lumtur. Ndërsa për popullin kjo tokë është kthyer në ferr dhe problemi është a do kemi prapë zgjedhje të pranueshme apo do kemi zgjedhje me standarde të lira dhe të ndershme, përfundimisht të pranueshme dhe të pakontestueshme nga shqiptarët këtej e tutje. Këtë pikë shtoj unë. Por, që zgjedhjet do shtyhen, që reforma zgjedhore do bëhet, kjo nuk ka asnjë pikë dyshimi. Kjo do ndodhë kështu si them unë. Dhe që qeveria e majtë do të bjerë, kjo nuk ka asnjë dyshim. Edi Rama është përgjegjës përpara Partinë Socialiste, sepse për interesin e tij personal, për karrigen e tij personale, është duke e larguar PS-në dhe të majtën nga qeverisja dhe nga e drejta e tyre legjitime për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, tha Kokëdhima.
/D.Xh/