Krisafi: Problemi i lumit Vjosa zvarritje prej 31 vitesh

1122

profesori i vogelNë fillimin e viteve 1980- të shekullit të kaluar pala greke, nisi ndërtimin e hidrocentralit të Pigait, në afërsi të Mecovos, duke devijuar 13 % të prurjeve mesatare vjetore të ujërave të lumit dhe rreth 50 % në kohë të thatë. Sipas normave të së drejtës ndërkombëtare ajo duhet të merrej vesh me palën shqiptare, në territorin e të cilës rridhte pjesa e poshtme e lumit Vjosa, gjë që nuk e bëri. Pala shqiptare, që prej vitit 1984, i ka kërkuar me shumë insistim gati çdo vit, shpjegime për këtë vepër, por me keqardhje duhet thënë se ajo refuzonte vazhdimisht.

Vetëm pasi e mbaroi, në vitin 1991, deklaroi se hidrocentrali kishte përfunduar. Veprimtaria që është ndërmarrë deri tani dhe për më tepër ajo që mendohet të kryhet në zbatim të një vendimi të miratuar në verën e vitit 2013 nga autoritetet greke, bie ndesh me praktikën ndërkombëtare, të drejtën zakonore dhe konvencionale ndërkombëtare si dhe me praktikën gjyqësore ndërkombëtare. Ajo bie ndesh edhe me marrëveshjet që Greqia ka nënshkruar me disa nga vendet e tjera fqinje, siç janë ish Jugosllavia, Bullgaria etj.

Disa prej akteve më të rëndësishme juridiko-ndërkombëtare që rregullojnë këtë fushë veprimtarie janë Konventa Për vlerësimin e ndikimit mjedisor në kontekstin ndërkufitar, miratuar në Espoo (Finlande), më 25 shkurt 1991 (ESPOO 1991), në të cilën janë palë Shqipëria prej 4 tetorit 1991 dhe Greqia prej 24 shkurtit 1998, Konventa e Helsinkit, e 17 marsit 1992 Për mbrojtjen dhe përdorimin e rrjedhave ujore ndërkufitarë dhe të liqeneve ndërkombëtare, që ka hyrë në fuqi më 6 tetor 1996, në të cilën janë palë si Shqipëria (05.01.1994) ashtu edhe Greqia (06.09.1996), Konventa  për të Drejtën e Përdorimeve Jolundruese të Rrjedhave Ujore Ndërkombëtare, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 21 maj 1997, ku Greqia ka aderuar më 2 dhjetor 2010, Direktiva 2000/60/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, e datës 23 Tetor 2000 etj.

Ato përcaktojnë qartësisht se në ujrat e përbashkëta, asnjë nga shtetet që laget prej tyre nuk duhet të ndërmarrë punime apo veprime që cenojnë sasinë dhe cilësinë e ujrave, pa u marrë vesh me shtetin apo shtetet e tjerë, që ndodhen në rrjedhat e sipërme apo të poshtme të tyre. Kjo do të thotë që shteti grek, sikurse edhe shteti shqiptar nuk duhet të nisin asnjë veprimtari në shtretërit e lumenjve të përbashkët, përfshirë në radhë të parë Vjosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin.

Në rastin e lumit të Vjosës, në se ajo që thuhet do të ndodhë, jo vetëm që do të përbënte shkelje të rëndë të normave që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve, por mund të kthehej në një fatkeqësi për banorët shqiptarë të zonave që përshkohen aktualisht nga ujërat e Vjosës, sepse do të linte pasoja tepër të rënda ekonomike, sociale, demografike, ekologjike, mjedisore etj. Do të prisheshin ekuilibra tepër të rëndësishëm, jetësorë, të vendosur në shekuj, në të gjithë këtë zonë.

Unë nuk mund të pretendoj të di hollësira për çështje që janë në kompetencën e organeve shtetërore të vendit tim, gjithsesi mund të shpreh një lloj keqardhjeje që ndërsa është treguar gatishmëri maksimale, madje zell i pamotivuar për të trajtuar dhe zgjidhur në favor të palës greke, çdo kërkesë që ka ardhur prej saj, si fjala vjen çështja e varrezave, marrëveshja e anuluar e detit etj, është treguar ndrojtje, gati frikë ose le ta quajmë servilizëm, për të mos patur kurajon që t’i kërkohet partnerit tonë, fqinjit imediat dhe të drejtpërdrejtë, përballimin me realizëm edhe të çështjeve që kanë sensibilitete të veçanta për shqiptarët.

E tillë, krahas shumë tjerave që kanë mbetur dosjeve diplomatike, është pikërisht çështja e lumit Vjosa, e cila ka 31 vjet që, me pretekste banale, zvarritet dhe shtyhet nga viti në vit, pa gjetur zgjidhjen e duhur juridiko-ndërkombëtare. Ka një fakt kurioz që, për hir të së vërtetës, meriton të vihet në dukje, rezulton që ajo është ndjekur me një konsekuencë të admirueshme deri nga fillimi i viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe më pas u la për shumë vjet pothuajse në heshtje, pa motiv.

Eshtë koha kur politika dhe diplomacia shqiptare, ku, kohët e fundit vihet re qartaz një ndërgjegjësim i vlerësueshëm, ta ndjekë këtë çështje, sikurse edhe jo pak të tjera, me përkushtimin dhe përgjegjësinë e duhur, për të mbrojtur interesat dhe dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, të nëpërkëmbur nga të huajt, por ngandonjëherë, fatkeqësisht edhe nga politikanë vendas.

* Prof. Krisafi është dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Europian të Tiranës. Ai është specialist i së drejtës ndërkombëtare dhe ka qënë pjesëmarrës në delegacionet shqiptare në negociatat me palën greke për ujrat kufitare, prej vitit 1984 deri 1991.

profesori i madh




Këtë e pëlqejnë %d blogues: