Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka premtuar një hetim të plotë dhe të menjëhershëm mbi mënyrën se si një skemë mashtrimi me subvencione të Bashkimit Europian mund të funksiononte pa u zbuluar për vite me radhë në vend. Ai pranoi se skandali ka zbuluar “paaftësinë e shtetit” për të përballuar korrupsionin.
Skandali u shpalos me zbulimin se fermerë të rremë kishin përvetësuar fonde bujqësore në vlerën e rreth 290 milionë eurove, përmes një skeme mashtruese të subvencioneve të caktuara. Përballë këtyre zbulimeve, Mitsotakis njoftoi të hënën krijimin e një task-force speciale që do të hetojë “menjëherë dhe në detaje” pagesat e paligjshme.
Në një përpjekje të rrallë për të menaxhuar dëmin politik, Mitsotakis pranoi mangësitë e aparatit shtetëror që duhej të kishte ndryshuar prej kohësh.
“Paaftësia e shtetit është e qartë. Klientelizmi nuk mund të qeverisë mënyrën se si bëjmë punët tona”, deklaroi ai.
Skema mashtruese, që përfshinte qindra aplikime për toka blegtorale të pretenduara nga pronarë të rremë, kishte nisur në vitin 2017 dhe u zbulua nga Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO) me bazë në Luksemburg, e cila filloi hetimet në vitin 2021. Fondet ishin shpërndarë nga agjencia shtetërore e subvencioneve OPEKEPE.
Mitsotakis tha se task-forca do të veprojë me shpejtësi dhe kërkoi rezultate të menjëhershme.
“Pres rezultate shpejt. Do të hetojmë rastet menjëherë dhe në mënyrë të plotë, në përputhje me ligjet kombëtare dhe europiane. Meqë OPEKEPE nuk arriti ta kryejë detyrën, shteti do të marrë përgjegjësinë qëndrore”, shtoi ai.
Skandali është përshkruar si “një nga mashtrimet më të mëdha në sektorin bujqësor në vitet e fundit”, duke përfshirë fonde që arrijnë në 45 milionë euro në vit.
Persona pa asnjë lidhje me bujqësinë, si një avokat nga Athina, kishin aplikuar për këto ndihma duke pretenduar pronësi mbi parcela fiktive apo si blegtorë të rremë.
Zyrtarët që u përpoqën të sinjalizonin këto parregullsi u shkarkuan, ndërsa OPEKEPE ka pasur gjashtë drejtues në pesë vitet e fundit, duke dëshmuar mungesën e stabilitetit.
Skandali ka nxitur zemërimin e publikut, i cili po përballet me një elitë politike të perceptuar si e korruptuar dhe joefikase.
Një sondazh i fundit zbuloi se 74.5% e grekëve besojnë se ministrat kanë lidhje me skandalin.