Media greke: 15 shtatori data kritike për Belerin, çfarë ndodh nëse nuk betohet

Greqi

Mediat greke i kanë kushtuar një artikull të gjatë polemikave që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, pati në distancë me kryeministrin Edi Rama.

Protothema shkruan se në ditët në vijim avokatët e Belerit do të dorëzojnë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion një kërkesë të re për lirimin e kryebashkiakut, duke kërkuar që ai të lirohet me kushte shtrënguese.

Media greke thekson se data kritike për “çështjen Beleri” është 15 shtatori, pasi nëse ai nuk betohet deri në këtë datë atëherë bashkia e Himarës do t’u drejtohet zgjedhjeve të reja.

“Data kritike për Belerin, edhe pse shumë e cilësojnë ligjin përkatës si të paqartë me shumë interpretime, është 15 shtatori. Deri atëherë ai duhet të betohet dhe të marrë detyrat zyrtare, përndryshe zgjedhjet e Himarrës do të përsëriten”, thuhet në artikull.

Protothema shkruan se Belerit po i cenohet e drejta e një procesi të rregullt ligjor.

Në thelb, Beleri dhe Kokaveshi po ndiqen penalisht, ku i pari rrezikon të humbasë detyrën pasi nuk është betuar si kryebashkiak, për 400 euro me të cilat gjoja blenë votat e bashkatdhetarëve të tyre. Duke komentuar njoftimin e Prokurorisë së Posaçme Shqiptare Kundër Korrupsionit, burime nga Ministria e Jashtme theksuan se prokuroria shqiptare “paragjykon rezultatin e procedimit duke cenuar të drejtën për një proces të drejtë dhe prezumimin e pafajësisë. Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet t’i respektojë rreptësisht këto të drejta”.