Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në takimin festiv të organizuar me studentët e qarkut të Fierit në Tiranë.
Në këtë takim ishin të pranishëm zëvendëskryetari i LSI-së, Petrit Vasili, deputeti i LSI-së në qarkun e Fierit, Robert Bitri,
Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Erisa Xhixho, etj. Në fjalën e tij përpara të rinjve, Meta theksoi se LRI është një organizatë e jashtëzakonshme e cila i jep frymëzim politikës shqiptare.
“Unë besoj shumë te të rinjtë, për LSI-në dhe për mua të rinjtë janë të parët dhe jam i bindur se së bashku vërtetë do të arrijmë që ne së bashku t’i japim vendit tonë një gjeneratë akoma më të suksesshme të re në politike siç jeni ju. Kjo është e vetmja rrugë për ta ndryshuar jetën politike të vendit. Jam i bindur dhe jam i sigurt që ne do ta arrijmë këtë gjë: që të sjellim një frymë vërtetë të re në jetën politike të vendit, që në Parlamentin e ardhshëm, në qeverisjen e ardhshme dhe kudo”, tha Meta.
Krahas kësaj, kryetari i LSI-së vlerësoi angazhimin e të rinjve në politikë të cilët gjenerojnë ide të reja për zhvillimin e vendit. Gjithashtu, Meta theksoi edhe potencialin e madh që ka rinia e që duhet t’i japë një dinamikë tjetër të ardhmes së vendit tonë. “LRI-ja është një organizatë e jashtëzakonshme ku ti merr gjithmonë energji pozitive dhe ku frymëzohesh për të ardhmen në vendin tonë. Potenciali më i madh është rinia dhe ky është një potencial që nuk duhet të flejë, por duhet të ziejë, duhet të ndizet, duhet vërtetë t’i japi një dinamikë tjetër të ardhmes të gjithë Shqipërisë”, tha kryetari i LSI-së Meta.