Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis e ka cilësuar shkelje të qartë të prezumimit të pafajësisë zgjatjen e paraburgimit për Fredi Belerin, që po e pengon atë të bëjë betimin si kryebashkiak i Himarës.
Në një intervistë për mediat në vendin fqinj, ai bëri me dije se çështja Beleri është diskutuar në takimin informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së “Gymnich” në Toledo,
” Pata mundësinë të bëja një diskutim edhe me komisionerin përgjegjës për Zgjerimin, Olivér Várhelyi, me të cilin folëm për çështjet e Ballkanit Perëndimor. Greqia, tashmë siç dihet ka marrë iniciativën për të përshpejtuar hapat në rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane. Dhe 20 vjet pas Deklaratës historike të Selanikut, Greqia do të jetë gjithmonë mbështetje për këto vende sa i përket perspektivës së tyre evropiane. Sidomos për çështjen e zotit Beleris, dua të theksoj se, pavarësisht nga çështja e vendimeve gjyqësore, pavarësisë së drejtësisë shqiptare, këtu shtrohet çështja e paraburgimit që e pengon atë të marrë detyrën. Kjo është një shkelje e qartë e prezumimit të pafajësisë, e shtetit të së Drejtës, e të drejtave politike të tij dhe të qytetarëve të Himarës që e zgjodhën atë”, ka thënë kryediplomati grek.