Azem PARLLAKU / “Nëse duket si terrorist, vepron si terrorist, lufton si terrorist, është terrorist, apo jo? Me sa mbaj mend unë, Ne kemi thënë që në fillim se do të luftojmë kundër ISIS dhe grupeve të tjera terroriste. Këtë qëndrim mbajnë edhe amerikanët. Përfaqësuesit e komandës së koalicionit kanë thënë gjithmonë se në shenjestër të tyre janë ISIS, al-Nusra dhe grupe të tjera terroriste. Këtë qëndrim kemi edhe ne. Në këtë pikë ne jemi në të njëjtën pozitë me koalicionin”.
E artikuluar nga Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, vetëm pak orë pas kalibrimit të shënjestrës nga ajri, mbi objektivat e ISIS në Siri, deklarata e bërë nga Nju Jorku, u riaktualizua nëpërmjet fjalimit të ditëve të fundit të Presidentit rus Vladimir Putin gjatë samitit të G20-ës në Antalia të Turqisë.
Terroristët tha Putin, janë duke u mbështetur dhe financuar nga 40 vende, midis të cilave ka dhe shtete anëtare të G20-ës. Ndërkohë duke folur për të ardhmen politike të Sirisë, cilësoi se është e nevojshme ndihma e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Europian, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Iranit.
Ky pozicionim i Rusisë po dëshmon se superfuqia ushtarake dhe “xhuxhi” ekonomik i dikurshëm, është shndërruar në një ekonomi shumë të zhvilluar dhe ushtarakisht një fuqi e madhe dhe e frikëshme.
Në emër të “Luftës së Re”, Rusia në fund të shtatorit nisi sulmet nga ajri mbi bazat e ISIS në Siri, ndërkohë që vetë mediat ruse, kanë raportuar se sulmet janë intensifikuar dhe në territorin irakian.
Deri tani, Shteti Islamik ka nën kontroll një sipërfaqe të Irakut dhe Sirisë, që është më e madhe se Libani apo Jordania. Në këtë territor, ku janë luftëtarët e ISIS, mbizotëron një terror që është më i ashpër se ai i Al-Kaedës dhe talebanëve. Edhe nëse xhihadistët nuk do të kenë sukses në zgjerimin e zonës së influencës së tyre, ata janë duke vrarë shumë njerëz.
Ndërkohë, burimet diplomatike kanë thënë më parë se Rusia dhe Irani kanë arritur një vendim strategjik për të bërë gjithçka lidhur me parandalimin e përhapjen dhe depërtimin e ISIS-it në zonat e ish-republikave sovjetike me shumicë myslimane.
Besimi themelor i përbashkët në luftën ndaj terrorizmit, një “Luftë e Re” e ngjizur tashmë e ka ftuar në rol Rusinë.
Nëpërmjet fjalimit të tij inagurues Presidenti rus Vladimir Putin në maj të vitit 2000 i’u drejtua popullit të tij dhe opinionit mbarëbotëror me këto fjalë:
“Ne duhet medeomos që ta njohim historinë tonë, ta njohim ashtu sic është në të vërtetë, të nxjerrim mësime nga ajo dhe gjithmonë të kujtojmë ata që krijuan shtetin rus, e mbështetën dinjitetin e tij dhe e bënë një shtet të madh, të fuqishëm dhe të gjerë.”
Vladimir Putin nuk kish thënë tjetër, vecse riafirmoi në mënyrë të qartë traditën perandorake të Rusisë.
Ndërsa, sot në vitin 2015 roli i Rusisë në ndërtimin e një rendi të ri ndërkombëtar, duke e injektuar atë në modelet e saj historike, coi në një përballje afatgjatë me Perëndimin, për shkak të konfliktit të armatosur në Ukrainë.
Në emër të “Luftës së Re” Ukraina është harruar, teksa në Europë karvani i të ikurve nga luftrat në Siri, Afganistan, Irak, etj, e ka alarmuar kontinentin e vjetër.
Kështu, mardhënia e Perëndimit me Rusinë luhatet sërish, mbasi kjo e fundit mbetet një aktor misterioz, që praktikon një formë enigmatike nacionaliste dhe fetare, e cila përligj misionin e Rusisë për prestigj dhe ekspansion.
E shtrirë në njëmbëdhjetë zona kohore, Rusia ka sipërfaqen më të madhe të tokës në krahasim me cdo shtet tjetër bashkëkor. Një vend me përmasa të tilla ende sot, vuan nga frika e sëmurë se është i kufizuar.
Sipërfaqja shumë e madhe e Rusisë dhe aftësia e popujve të saj për të duruar parandaluan pushtues të tillë si: Napoleoni dhe Hitleri që synuan për të dominuar Europën.
Historia e Rusisë e ka lënë Europën me një trashëgimi të nostalgjisë romantike për periudhat e bashkëpunimit, por, gjithashtu edhe një frikë të paqartë në lidhje me pafundësinë dhe enigmën.
Pas përpjekjeve të kombeve kryesore të Europës, ka qëndruar dhe qëndron nxitja për të patur një mardhënie të vecantë me Rusinë, për të parandaluar një përsëritje të presioneve historike.
Në rrethanat e së djeshmes por dhe ato aktuale, nëse Ukraina ka një rëndësi gjeopolitike, kjo vlen për Evropën. Nëse dikush duhet t’i siguronte Kievit, ndihma financiare dhe armë, ajo është sërish Evropa. Nëse dikush duhet të ofrojë garanci ushtarake në Ukrainë, ai është prapë kontinenti i vjetër. Nëse dikush duhet të dërgojë trupa në Ukrainë, ajo është Evropa. Nëse dikush duhet forcojë mbrojtjen ushtarake të Evropës, kjo është vetë Evropa. Por kjo e fundit, nuk duket se është shumë e shqetësuar në këtë drejtim.
Siria, Iraku, Afganistani, Ukraina thonë evropianët paraqet një krizë. Por si gjithmonë, mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të luajtur rolin e tyre me ndonjë operacion të rëndësishëm ushtarak.
Nga ana tjetër mardhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e kanë provuar muajin e mjaltit. Këto mardhënie u bënë në thelb dypolare, duke qenë se të dyja superfuqitë kundërshtonin njëra-tjetrën përgjatë një vije ndarëse që kalonte nëpër qendrën e Europës.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, historikisht kanë kërkuar një prirje globale për shoqëritë e tyre. Idealizmi amerikan rrjedh nga koncepti i lirisë, ndërsa ai rus zhvillohet nga një kuptim i vuajtjes së përbashkët dhe nënshtrimit të përbashkët ndaj autoritetit. Idealizmi amerikan synon izolimin, idealizmi rus ka nxitur ekspansinizmin dhe nacionalizmin.
Mbi këtë frymë Rusia e ka joshur Serbinë për të ngritur në zemër të Ballkanit, aty në Luginën e Preshevës një grup bazash ushtarake, ku sipas gjasave do të instalohen raketat e blera në Rusi pas vizitës së kryeministrit serb Vuçiç në Moskë.
Sipas vendimit, në marsin e vtit 2016 duhet të miratohet plani ushtarak i funksionimit të bazave dhe nisja e punës. Bëhet fjalë për një bazë ushtarake shumë afër asaj amerikane të Bonstill-it në Ferizaj. Shumë analistë e kanë cilësuar dhe Bonstill-in rus. Pra, që do të thotë se do t`i bëjë karshillëk atij amerikan pak kilometra larg.
Pavarësisht alternativave bashkëpunuese dhe imagjinatës për t’a bërë Rusinë anëtare të Unionit Europian, apo të NATO-s, përsëri zgjidhja nuk është aq joshëse.
Nëse Rusia do të anëtarësohej në Unionin Europian atëherë do të kishim një ndarje të dyja anëve të Atlanitkkut, nëse do të ishte anëtare e NATO-s, Aleanca e Atlantikut do të kthehej në një lloj instrumenti sigurie që ngjason me një mini Kombe të Bashkuara ose në mënyrë alternative në një aleancë antiaziatike.
Duke i ditur eksperiencat e saj historike, Rusia ka bërë pak të ndryshojë përcaktimin e saj tradicional për sigurinë, ndërkohë, që Perëndimi ka një detyrim për të nxitur Rusinë, që të heqë dorë nga përpjekjet për të dominuar fqinjët.
Në dhjetëvjecarin e fundit Rusia u bë gjithnjë e më e pasur. Në një botë që ka etje për energji, eksportet e energjisë së Rusisë janë shumë fitimprurëse. Tashmë Rusia i ka përdorur burimet e gazit të saj natyror për t’i detyruar fainjët që t’i përkulen vullnetit të saj. Kjo fuqi ka arritur në zemër të Europës, ku Gjermania dhe ish-satelitët e Bashkimit Sovjetik të Europës Lindore varen të gjithë nga gazi natyror rus.
Duke përfituar nga këto burime Rusia, ka krijuar një forcë ushtarake të përshtatshme për mbrojtjen e interesave të saj. Strategjia e madhe e Rusisë synon krijimin e zonave frenuese të thella përgjatë rrafshinës së Europës Veriore, ndërkohë që ka ndërhyrë në konfliktin në lindje të Ukrainës, dhe përpiqet të manipulojë fqinjët tjerë, duke krijuar një ekuilibër të ri rajonal të fuqisë në Europë.
Rusia u mbrojt ndaj Napoleonit dhe Hitlerit nëpërmjet thellësisë së vendit. Pa Bjellorusinë dhe Ukrainën, nuk ka thellësi, nuk ka vend për të bërë pazar me gjakun e armikut.
Sigurisht, është absurde ta përfytyrosh NATO-n të paraqesë kërcënim ndaj Rusisë, por rusët mendojnë në kuadrin e cikleve njëzetvjecare, dhe ata e dinë sesa shpejt absurdja bëhet e mundur.
Mirëpo, rusët praktikisht po ushtrojnë ndikimin e tyre mbi shtetet baltike, duke përdorur operacionet e maskuara, duke aktivizuar dhe financuar minoritetet ruse, si dhe cfarëdolloj elementi prorus. Kur këto lëvizje shtypen, kjo u jep rusëve një shkas për të përdorur mjetin e dytë të tyre, sanksionet ekonomike, në mënyrë të vecantë duke e ndërprerë rrjedhën e gazit natyror. Dhe së fundi rusët do të bëjnë të ndihet presioni ushtarak nëpërmjet pranisë së forcave të konsiderueshme pranë këtyre kufijve.
Argumenti ka funksionuar me rastin e Ukrainës, e ka të ngjarë të funksionojë mbasi rusët po kërkojnë të ushtrojnë presion mbi Perëndimin, duke destabilizuar vendet në kufirin e tyre, c’ka ka detyruar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos jenë kaq indiferente, në lidhje me këtë strategji të politikës ruse.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia do të shtojë edhe 40 raketa balistike interkontinentale në arsenalin e saj bërthamor, në vitin 2015.
Deklarata e Putinit ka ardhur pasi Shtetet e Bashkuara propozuan rritjen e pranisë së tyre ushtarake në shtetet e Evropës lindore.
Tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit janë të larta për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në konfliktin në lindje të Ukrainës.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin thotë se ushtria do të ketë më shumë se 40 raketa të reja balistike interkontinentale në arsenalin e saj këtë vit, të cilat janë në gjendje të “depërtojnë” çdo sistem kundër-ajror.
Këto komente Putini i ka bërë në ngjarjen “Ushtria 2015” në Alabino në perëndim të Moskës. Putin tha po ashtu se ushtria do të ketë edhe disa armë të reja, duke përfshirë këtu disa tanke dhe makineri të tjera. Disa nga këto janë shfaqur në paradën në Moskë, në përvjetorin e 70-të të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Ai shtoi se ushtria ruse së shpejti do të testojë një radar paralajmërues me rreze të gjatë veprimi, i cili synon monitorimin e “zonës strategjike perëndimore.”
Nga ana e tij Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se plani i Rusisë për të forcuar arsenalin e saj bërthamor me 40 raketa të reja baltistike, është model i rrezikshëm i sjelljes së Rusisë.
“Kjo shpatë e vrullshme bërthamore është e pajustifikueshme, destabilizuese dhe e rrezikshme.” ka thënë Stoltenberg, pas një takimi me kreun e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në Bruksel.
Vështruar me kujdes, këto deklarime dëshmojë se Rusia e ka rritur dukshëm potencialin e saj ushtarak, c’ka nënkupton se është kapërcyer faza e nënvlerësimit të saj dhe ka ardhur koha e vlerësimit dhe ajo e alarmit.
Dhe e gjithë kjo po bëhet në emër të “Luftës së Re” dhe zhvillimit ekonomik të rusisë e rikthimit të vrullshëm ushtarakisht të saj.