MEDIA GREKE: JA ÇFARË KËRKOI MINISTRI DENDIAS NË TIRANË, PËRGJIGJJA QË MORI NGA RAMA DHE NUFI

Kryesore Politika

Dendias ngre në Tiranë çështjen e varrezave të ushtarëve grekë, takim me ministrin shqiptar të Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, ka ngritur në Tiranë çështjen e varrezave të ushtarëve grekë, gjatë takimit me homologun shqiptar, ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, raporton noa.al duke cituar median greke Ta Nea dhe një komunikatë zyrtare të ministrisë greke të Mbrojtjes.

Gjatë takimit të zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë, dy palët diskutuan për çështjen e varrezave të ushtarëve grekë, 82 vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Dendias deklaroi se gjatë bisedimeve është rënë dakord për mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve për Varrezat Ushtarake, një çështje që pala greke e konsideron me rëndësi historike.

“Gjatë takimit me homologun tim shqiptar, Ermal Nufi, ramë dakord për mbledhjen e menjëhershme të Komisionit të Përbashkët të Ekspertëve për Varrezat Ushtarake”, deklaroi ministri grek i cili pohoi se pati një takim privat kokë më kokë me Nufin, jashtë kamerave, para se të kishin një takim të zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve të të dy vendeve.

Ministria greke e Mbrojtjes tha se Dendias vuri theksin në respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe rëndësinë që, sipas tij, ka respektimi i të drejtave të minoritetit kombëtar grek për marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai deklaroi se ky minoritet përbën një shtyllë paqeje, sigurie dhe progresi për të gjithë rajonin.

Pas përfundimit të vizitës, Dendias deklaroi:

“U takova me homologun tim shqiptar, Ermal Nufi. Ishte takimi ynë i parë, pasi ai është ministri i ri i Mbrojtjes i Shqipërisë. Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve tona në fushën e mbrojtjes. E ftova të vizitojë Athinën dhe ramë dakord që kjo vizitë të zhvillohet në fund të muajit të ardhshëm.

Mendoj se kjo është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar edhe më shumë me palën shqiptare, veçanërisht për sfidat gjeopolitike që përballet rajoni ynë dhe për të parë, si në kuadër të NATO-s ashtu edhe në kuadër të rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, se çfarë sinergjish mund të krijojmë, ku mund të ndihmojmë ne dhe ku Shqipëria mund të ndajë përvojën e saj, sidomos përballë sulmeve kibernetike që ka përjetuar muajt e fundit.

Me z. Rama diskutuam për situatën më të gjerë gjeopolitike, si dhe për gjendjen në Mesdheun Lindor”.