Niveli i papunësisë në vend mbeti i pandryshuar në tremujorin e parë të këtij viti, në krahasim me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, duke qëndruar në 14.2%, sipas të dhënave të publikuara në INSTAT.
Në raport me tremujorin e mëparshëm ka një rritje të papunësisë te meshkujt nga 14.5 në fund të vitit 2016 në 15.6% për janar-mars 2017.
E kundërta ka qenë tendenca për femrat që është ulur ndjeshëm nga 13.7% në 12.2%.
Në raport me tremujorin e parë 2016, papunësia ka ardhur në rënie, nga 15.3% në 14.2%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e papunësisë për meshkujt ka rënë me 1,8 pikë përqindje dhe për femrat ka rënë me 3,3 pikë përqindje.
Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është 15,6 % dhe për femrat është 12,2 %. Shkalla e papunësisë për femrat është 3,4 pikë përqindje më e ulët sesa për meshkujt. Që nga tremujori i katërt 2015, kur niveli i papunësisë ka ardhur në rënie (në atë periudhë ishte 17.3), ky është tremujori i parë kur papunësia nuk vjen në ulje.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 26,6 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e parë të vitit 2017 është 3,8 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e katërt 2016, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 1,5 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 11,2 %. Në terma vjetorë ky tregues pësoi një rënie prej 1,7 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë pati një rritje të shkallës së papunësisë me 0,6 pikë përqindje.
Shkalla e punësimit për meshkujt është 62,9 %, ndërsa për femrat 49,5 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, shkalla e punësimit për meshkujt është rritur me 2,5 pikë përqindje, ndërsa për femrat rritja është me 0,5 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 33,0 %. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e parë 2017, shkalla e punësimit është 67,5 %.
Ndërsa në krahasim me tremujorin e kaluar, shkalla e punësimit ka qëndruar e pandryshuar> te femrat, shkalla e punësimit nga 49.6 në fund të 2016-s zbriti lehtë në 49.5. te meshkujt këto tregues ishin përkatësisht 62.8, me 62.9.