Nga Doc. Luan Zyka/ Nuk janë fajtorë shqiptarët për gjithçka…
Po ndjek edhe unë me shqetësim zhvillimet e përhapjes dhe pasojat tragjike të koronavirusit kudo, dhe veçanërisht në Greqinë e Veriut.
Qeveria Greke më datë 19 nëntor shpalli marrjen e disa masave për të penguar përhapjen e pandemisë Covid-19, dhe një nga këto masa ishte mbyllja e dy pikave kufitare, në Nimfeo me kufirin bullgar ku ndalohet kalimi i njerëzve por jo i mallrave, dhe në Kapshticë (Kristalopigji) me kufirin shqiptar, ku ndalohet kalimi i njerëzve dhe i mallrave.
Kapshtica u mbyll, por u hapën gojët e njerëzve…
Mediat shqiptare lajmërojnë se në Korçë ishte ngritur një rrjet mafioz që përgatiste dhe u shiste udhëtarëve për Greqi teste të falsifikuara të Covid-19. Ndërkohë në doganën greke të Kapshticës, nuk kishte asnjë ekip mjekësor apo laborator për teste te shpejta dhe për të verifikuar dokumentat e testeve të udhëtarëve shqiptarë…
Si është e mundur të mos bashkëpunojnë në pikat kufitare, për këtë armik të përbashkët, institucionet shëndetësore të dy vendeve ?
Lajmi i testeve të falsifikuara në Korçë, të cilat u shiteshin udhëtarëve shqiptarë që kalonin nëpërmjet Kapshticës për në Greqi, mori dhenë në Shqipëri. Deri tani nuk kemi të dhëna nga drejtësia shqiptare për këtë çështje.
Nga ana tjetër (e kufirit) dalin, shkruajnë e flasin disa emigrantë, se shkaku i mbylljes së doganës së Kapshticës ishin testet e falsifikuara të mafiozeve shqiptarë!!!!! Këtyre u erdhi rradha tani për të pritur barbarët (e Kavafis).
Asgjë e tillë nuk është deklaruar nga autoritet zyrtare të Greqisë, kur në mesditën e 19 nëntorit 2020, z. Petsas deklaroi vendimin e Qeverisë Greke për mbylljen e dy pikave kufitare me Kapshticën (Shqipëri), dhe Nimfean (Bullgari).
Jehona e lajmit të testeve të falsifikuara ngarkon në mënyrë të padrejtë një popull të tërë. Përsëri mbi shqiptarët bie njolla e mafiozit dhe e kriminelit, këtë radhë duke u amplifikuar nga vetë shqiptarët, andej dhe këtej kufirit…!
Në këtë kohë tragjike është e domosdoshme që të jemi të kujdesshëm në ato çfarë themi dhe çfarë bëjmë. Te nëpërkëmbësh një popull të tërë duke u rënë daulleve të keqinformimit, nuk bënë veçse tellallin e kohëve te shkuara ku për çdo gjë kishte faj shqiptari. Këto daulle boshe na çojnë pas dhe jo përpara…
Të dy vendet po përpiqen me te gjitha mënyrat e mundshme për të përballuar këtë flamë që rrezikon jetën njerëzore.
Me një bashkëpunim me të ngushtë te dy vendeve, dhe me përgjegjësi personale te çdo njeriut, duhet të përballojmë armikun e përbashkët, Covid-19.
Nuk ka faj Koritsa!
Nuk janë fajtorë shqiptarët për gjithçka!