Nuk treguan të vërtetën, rrezikohen Greqia dhe Europa

1104

Nëse FMN-ja do të tërhiqet, Europa do të jetë e lirë për të menaxhuar këtë situatë sipas mënyrës së saj

 

Gabimi për të mos treguar të vërtetën është pak a shumë i gjithë strumbullari i asaj çka po ndodh tani në Europë. Ai nuk është shkaku i vetëm kryesor i krizës së borxhit grek, i cili është duke u thelluar gjithnjë e më shumë. Ai është më shumë sesa kaq, shkruan Wolfgang Münchau për Financial Times. Kjo gjë vihet re sidomos në ato momente kur të tjerët flasin për të vërtetën, ashtu siç ka vepruar edhe stafi i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në sondazhin e tij të fundit të ekonomisë greke thuhet se “borxhi publik arriti në 179% të PBB-së në fund të 2015-s dhe është i paqëndrueshëm”.

Europianët nuk janë mësuar me një gjë të tillë. Gjermanët protestuan. Komisioni Europian protestoi. Kështu bënë edhe grekët. Të gjithë duan që përralla e qëndrueshmërisë së borxhit grek të vazhdojë edhe pak më gjatë.

Ata u shokuan kur FMN-ja publikoi marrëveshjen ku shkruhej se “Jo të gjithë drejtuesit ndajnë të njëjtat pikëpamje në lidhje me rrugën fiskale dhe qëndrueshmërinë e borxhit grek”. Dhe këta ishin pikërisht europianët, të cilët tashmë janë pakicë në FMN. Pasi administrata Trump të dërgojë përfaqësuesit e saj në bordin e FMN-së, situata do të përkeqësohet edhe më tej.

Në korrik 2015, BE-ja dhe Greqia ranë dakord për një paketë të tretë shpëtimi. Alexis Tsipras, Kryeministri grek, e angazhoi veten në arritjen e një suficiti tregtar me 3.5% të PBB-së (duke e vënë një gjë të tillë edhe përpara pagesës së interesit).

Asnjë vend nuk ka arritur kurrë më parë të mbajë një angazhim të tillë mbi një periudhë pothuajse të pacaktuar. Greqia jo vetëm që është larg arritjes së 3.5% suficit, por ajo nuk do ta arrijë kurrë këtë gjë. Një tjetër e vërtetë e pathënë është se Gjermania nuk do ta falë kurrë borxhin grek. Kjo sepse Parlamenti gjerman nuk do ta pranojë atë, dhe numri i anëtarëve të Parlamentit që do të jenë kundër masave lehtësuese të borxhit grek do të rritet edhe më shumë pas zgjedhjeve të shtatorit.

Nëse qeveria gjermane do të binte dakord për lehtësimin e masave ndaj borxhit grek, ajo duhet të mblidhte shumicën parlamentare ku “Koalicioni i gjerë” me në krye Anxhela Merkelin drejton 80% të vendeve në Parlamentin gjerman. Por pas zgjedhjeve të shtatorit, pritet që Demokratët e Lirë, Partia Liberale, të rihyjnë në Parlament, pas dështimit të herës së fundit.

Lideri i tyre, Christian Lindner, tha javën e kaluar se rruga më e mirë është që Greqia të largohet nga Eurozona, dhe si pasojë e një veprimi të tillë do të falej edhe borxhi grek. Por për partinë gjermane të krahut të djathtë, antieuropiane, nuk është vetëm Greqia ajo që duhet të largohet nga Eurozona por edhe vetë Gjermania.

Nëse i shtojmë grupit të madh të euroskeptikëve edhe Partinë e Bashkimit Demokrat Kristian dhe Bashkimin Social-Kristian, nuk është e vështirë të kuptohet se dritarja e masave lehtësuese të borxhit grek do të mbyllet përfundimisht shtatorin e këtij viti.

Por ajo çka është vërtet irrituese në të gjithë këtë histori është qëndrimi i vetë grekëve. Në këtë histori nuk ka personazhe pozitive dhe personazhe negative. Në pranverën e vitit 2015, në muajt e parë të ardhjes në pushtet të Syrizas, qeveria e z. Tsipras deklaroi se suficiti prej 3.5% i PBB-së është joproduktiv dhe politikisht do të ishte një vetëvrasje e vërtetë.

Në fund, ai zgjodhi të pranonte kërkesat e vëna nga europianët ndër të cilat edhe arritja e suficitit me 3.5% të PBB-së. Ky ishte pikërisht edhe momenti kur ai bëri gabimin e pafalshëm duke u afruar me BE-në doli kundër FMN-së, institucionit të vetëm që mund të përkrahte masat lehtësuese të borxhit. Kjo ishte një përllogaritje e gabuar politike. Ai mendoi se objektivi do të ishte lehtësisht i arritshëm, si shumë prej standardeve të tjera europiane.

Ai mendonte se mund të bënte kompromis me europianët mbi reformat strukturore por mbi të gjitha, ai nuk i bëri fare mirë llogaritë në lidhje me qëndrimin e FMN-së në këtë situatë.

Një pjesë e cila nuk mund të neglizhohet në masat lehtësuese të programit të ndihmës greke është kushti që vendosi Gjermania, e cila do të marrë pjesë në një program të tillë vetëm nëse përfshihet edhe FMN-ja. Kjo ishte edhe tronditja më e madhe. Nëse FMN-ja tërhiqet nga Greqia, dy janë skenarët e mundshëm. Ajo do të detyrohet të lërë Eurozonën ose Berlini do të bjerë dakord për të pranuar masat lehtësuese të borxhit vetëm pak muaj para zgjedhjeve. Në të dyja rastet, dikush do të dalë padyshim i humbur.

Kriza greke është shembulli më i qartë i dështimit në mostregimin e së vërtetës. Por, jo vetëm kjo, ka edhe shumë të tjera. Anëtarësimi i Italisë në një bashkim monetar me Gjermaninë është gjithashtu i paqëndrueshëm. Kur e vërteta nuk tregohet, atëherë askush nuk duhet të befasohet nga përdorimi i fakteve alternative.

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: