Populli nuk duhet nxitur të gabojë

Opinion

Nga Azem Parllaku /

Rizgjimi i sotëm politik është transnacional në burimet e frymëzimit, për shkak të ndikimit të komunikimit masiv. Pasionet moderne politike populiste, mund të drejtohen kundër një objektivi të largët, në kushtet e mungesës së një doktrine unifikuese. Duke u identifikuar me një ide të dinjitetit njerëzor universal, me kërkesën bazë të respektimit të diversiteteve kulturore, sociale dhe fetare, vetëm sovrani mund të mposhtë rrezikun që, rizgjimi politik të kthehet kundër tij. Etja për jetë të qetë dhe harmoni është fabula e qytetërimit, ndërsa shqiptarëve u shkoi jeta duke u përpjekur si heronjë të gabuar në beteja idiotësh. Lufta për vetveten është kthyer sot në debat, në analizë, ku marrin pjesë të “paditurit” e kohërave të fundit duke mbjellë mendësinë e vetvetes dhe duke shfarosur idetë që krijojnë jetë të lumtur në bashkëjetesë.

Kjo mendësi po vulos fatin e shqiptarëve se drejt kujt rruge po shkojmë. Kjo udhë nuk i ngjan udhës së shpresës, por ngjan me udhën që çon drejt dhe rrënimit. Frytet nuk vonojnë të vijnë, sepse çka është mbjellë deri tash, po korret e do të korret nga vetë ne, qenie njerëzore që kemi sy por nuk shikojmë, kemi veshë por nuk dëgjojmë. Ky është kurthi që politika ka kurdisur, ndërsa vijon të majmet me marrëveshje të hapura dhe të heshtura. Bëjmë zgjedhje, nuk bëjmë zgjedhje! Tradhtitë, pabesitë, pazaret e ndyra, të treshes makabre: klasë politike, media e shoqëri civile, duke i mbuluar me: “kështu deshën aleatët tanë”, kanë bërë që prej gati tre dekadash Shqipëria si shtet, e shqiptarët si popull të ndodhen në kulmin e degjenerimit, korrupsionit dhe shthurjes historike.

Politika për të arsyetuar grykësinë e vet, është shndërruar në gënjeshtër dhe prostitucion. Ajo nuk është “arti i së mundshmes”, siç e ka quajtur, Otto von Bismarck. Kur ai e tha këtë frazë të stërpërsëritur, nuk i shkonte mendja për të gënjyer, manipuluar, tradhtuar, apo mashtruar për t’ia arritur qëllimit. Me siguri, ka folur për mundësitë që në politikë gjithmonë janë të kufizuara, dhe si të tilla i obligojnë liderët të jenë të sinqertë me qytetarët, të jenë realistë në atë që e kërkojnë dhe propogandojnë. Demagogë të regjur liderët politikë në Shqipëri, janë manipulues shembullorë të sovranitetit të popullit. Lidershipi është pjesërisht çështje karakteri, pjesërisht inteligjence, pjesërisht e organizimit dhe pjesërisht e asaj që, Makiaveli e quante “fat”, ndërveprimi misterioz i fatit dhe shansit.

Liderët politikë, të njejtët këta që shkelin çdo premtim para qytetrëve shqiptarë, kanë mundur të gjejnë mënyrën për të justifikuar veprimtarinë e tyre, si të kapur në flagrancë, duke manipuluar. Mashtrimet kanë arritur yjet në hapsirë, shkëlqejnë por nuk ndriçojnë. E megjithatë, mashtruesit politikë na qasen gjithnjë një hap para kohës. Ata e tërheqin kohën. Sipas tyre “populli ka gjithnjë të drejtë”. Por, parimi demokratik nuk e mbështet këtë absurditet. Parimi demokratik është që populli është sovran edhe në të drejtën për të gabuar, përndryshe, ç’sovran do të ishte? E nëse populli ka të drejtë të gabojë, nuk do të thotë se është e lavdërueshme ta shtysh të gabojë.

E megjithëse Demokracia është modeli ku qytetari është i pari, përsëri në Shqipërinë e vitit 2019, në diskursin e debatit të çdoditshëm, “e drejta e popullit për të vendosur”, është e para në rendin e ditës. Mirëpo, edhe pse, duke qenë pasardhës të ilirëve, çdo i treti i të cilëve ishte poet i lindur, shqiptarët e sotëm ende ne nuk po mundin të shkruajnë poezinë e tyre. Ky është një mjerim i llojit të veçantë, një lloj filozofie e mbrapshtë. Mjaftojnë vetëm pak nga episodet e ditëve tona, për të kuptuar çfarë rëndësie i kushtojmë rëndësisë së shkrimit korrekt. Ne nuk nënshkruajmë korrekt as në fletën e votimit.

Ligjet që duhet të na mbrojnë nuk shkruhen siç duhet, historia jonë si popull nuk është shkruar me korrektësi. Qytetarët shqiptarë janë përjashtuar nga pjesëmarrja në krijimin e së vërtetës dhe janë shndërruar në një masë amorfe, të nënshtrueshme, ndërkaq që legjitimohet instanca supreme e së vërtetës. Koha na sfidon të gjithëve, të mirin dhe të ligun, teksa në fund gjithkush merr atë që meriton. Dikush merr përvojën e hidhur që është serum i duhur për jetën, dikush pi kupën e helmët. Më shumë se kurrëndonjëherë krenarinë qytetare e kemi të shkërmoqur.

Shqipëria është shqyer copash prej zullumit dhe grabitjes të cilat janë bërë tashmë moral dhe dhimbje në zemer. Koha dhe historia e djeshme dhe e sotme po tregon se mbi këtë popull ku sundon injoranca, antiqytetaria , mungesa e theksuar e civilizimit dhe perçarja, janë shtuar mëkatet dhe ata që i bëjnë janë të njejtët, të vetëkurorëzuarit si udhëheqës të politikës. Ata nuk kanë lënë asnjë pikë referimi pa uzurpuar. Një sjellje që ngjan me orbitën rrugaçe të një asteroidi. Shqiptarëve u grabiten paratë, u grabitet Thesari i Shtetit, u shitet një pjesë e detit, u vidhen dhe u digjen pyjet, tokat dhe çdo pasuri kombëtare. Dhe askush nuk u ndëshkua! Në interes të popullit është që, çdo vepër penale të zbulohet dhe kryerësi i saj të dënohet. Nëse gjykatat e lirojnë fajtorin, atëherë gjykatësi duhet të gjykohet.

Edhe sikur një fronti të gjerë opozitar dhe ndërtimin e një platforme gjithëpërfshirëse, kundër Qeverisë aktuale, që shtrihet nga ish të përndjekurit politikë, ish pronarët, të papunët, shoqëria civile, partitë politike, të majta apo të qendrës, të djathta apo super të majta, që nuk ndajnë dhe nuk duan të ndajnë pushtet me Kryeministrin aktual, do të mund të përbashkohen për Reformën Zgjedhore dhe shpëtimin e zgjedhjeve nga kërcënimi i përhershëm, prapë shqiptarët janë skeptikë. Ata nuk po munden t’i besojnë këtij establishmenti, sepse shpërdorimet me pushtetin dhe zullumet e tre dekadave janë të ndjeshme dhe të dukshme mjaftueshëm. Sherri i politikës ka larguar vëmendjen nga problemet reale që kanë qytetarët e Shqipërisë. Ndërsa ndërkombëtarët bëjnë thirrje për kompromis për hir të stabilitetit, në realitet parimet e demokracisë po harrohen çdo ditë e më shumë, qetësia e njerëzve është prishur, e ekonomia dhe biznesi po lëngon.

Mosmarrëveshjet dhe mllefet e politikës, kanë degraduar si kazanet me zift të nxehtë mbi kokën e të ardhmes. Politikanët shqiptarë, veçanërisht ata lider, sillen si perandorë e mbretër, në vend që të sillen si mendimtarë dhe apostuj të jetesës së begatë për shqiptarët e shumëvuajtur. Po na vrasin çdo ditë thonë qytetarët, teksa askush nuk dëgjon. Po na vrasin me antenat, me mishin nga Brazili, me miellin nga Serbia, me pulat nga Argjentina, me qumështin pluhur, që pastaj bëhet kos dhe ne vrasim mendjen hahet apo pihet. Po na vrasin me hashashin, me ajrin me përqindjen më të ndotur në Europë, me ujin qe vjen erë, me trafikun e çdo mëngjesi, me konçesione, po na djegin në spitale private. Por ç’është më e keqja po na vrasin shpresën. Prandaj ikin shqiptarët, prej padrejtësive, prej pamundësive, prej sherreve. Ikin se ndjehen të lodhur dhe të frustuar, ndjehen pa zot, ndjehen të keqardhur dhe në ankth për të ardhmen e fëmijëve.

Nuk ulen njëherë të qetë në tryezën e thjeshtë të bukës, mbasi politikanët e lagjes më të varfër të Europës, janë bërë si fantazma të frikshme. Dhe populli i gjorë i ndjek pandërprerë, teksa poshtërohet sërish. Ikin të rinjtë mbasi rinia e tyre është vrarë me reforma në arsim për të pasuruar diplomoret buzë Lanës. Rinia është shurdhuar nëpër call centera. Dhe të shkretët nuk ankohen, se ju duhen ato dy para për të paguar shkollën, e për të ngrënë ndonjë vakt bukë. Politikanët sillen si shpikës të lirisë dhe votimit të ndershëm, ndërsa shqiptarët kanë vite që vijnë vërdallë duke u bëre turpi i Europës.

Deputetë, oligarkë, e politikanë janë grumbulluar të gjithë nëpër komplekse vilash, bashkë me njëri-tjetrin. Larg nga njerëzit e tjerë. Me roje dhe kamera sigurie. Dhe të gjithë i shkollojnë fëmijët e tyre jashtë. Në sytë e popullit partitë dhe politikanët sulmojnë njëra-tjetrën duke mbjellë përçarje dhe terror psikologjik. Çdo faqe e fytyrave që shohim dhe ndjekim nëpër debate, sulme e kundërsulme, janë shfaqje e së vërtetës së këtyre mendësive që vjelin dhe korrin frytet e kësaj vepre që prodhohet sot nëpër kulisat e pushtetit. Të mbjellësh dogmë dhe fatalitet, të prodhosh luftë shpirtërore dhe psikologjike, të uzurposh nëpërmjet padrejtësive mendimin dhe dëshirën për jetën në harmoni dhe begati, i je nënshtruar vullnetit të të ligut, i cili kërkon luftë dhe jo paqe, kërkon vuajtje dhe jo gëzim, kërkon dëmtim dhe jo harmoni, kërkon të vendosë pushtetin e tij.

Një turmë prej mijëra vetash sipas Giovanni Sartorit “miraton me brohoritje propozime që e njëjta turmë, e ndarë në grupe të vogla, do t’i hidhte poshtë”. Më tej Sartori citon Mikels-in që thoshte me një fjali se është më lehtë të zotërosh masën se auditorin e vogël. Dhe gjithnjë, sipas Sartorit, ai që fiton këtë rrugë është demagogu, si manipulues shembullor i sovranitetit të popullit. Demagogu u bën thirrje turmave, duke bërtitur se populli ka gjithnjë të drejtë. Por, parimi demokratik siç u tha më lart nuk e mbështet këtë absurditet.