Një çadër për të shpëtuar Maqedoninë

Kryesore Opinion

Azem PARLLAKU  / WMRO, partia e telasheve në Maqedoni nuk e pranon që, gjuha shqipe të jetë e barabartë, e pranueshme dhe e respektuar. Të frymëzuar nga kjo parti më shumë se 5 mijë protestues të komunitetit maqedonas, u mblodhën mbrëmë para godinës së Qeverisë për të vazhduar marshin drejtë Kuvendit. Protesta u shoqërua me shumë fyerje dhe ofendime ndaj shqiptarëve si dhe partive politike të cilat negociuan në realizmin e platformës së përbashkët shqiptare. Ajo që spikati në protestë mes tjerash ishte momenti kur presidenti Ivanov u deklarua si hero i Maqedonisë nga protestuesit pas vendimit të tij.

 Nëpërmjet një konference për mediat, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, foli në lidhje me çështjen e formimit të qeverisë së re në vend. Ivanov ka thënë se i ka kërkuar liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, të hedhë poshtë dhe të mos pranojë platformën shqiptare si kusht për formimin e qeverisë së re. Gjithashtu presidenti maqedonas tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të dënojë platformën shqiptare, pasi kjo platformë rrezikon sovranitetin.

 “Platforma e bërë jashtë vendit, nga kryeministër tjetër. Është jashtë kushtetutës. Prish rendin kushtetues. Platforma shkel sovranitetin e shtetit. Pasojat mund të jenë katastrofale, nëse pranohet kjo Platformë. Ne kemi vetëm një Maqedoni. Për këtë kanë luftuar gjenerata të tëra”, ka thënë Ivanov.

 Më herët ka qenë ish-kryeministri i Maqedonisë, Gruevski, i cili paralajmëroi masa për të pamundësuar realizimin e programit të LSDM-së dhe BDI-së. “Ne do të qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të interesave shtetërore dhe kombëtare, në çdo formë dhe në çdo situatë. Ne po vazhdojmë të ndjekim situatën me vëmendje, po komunikojmë me të gjithë, por ua tërheqim vërejtjen të gjithë atyre që duan të luajnë bixhoz me interesat shtetërore dhe kombëtare se në këtë shtet ka edhe të tjerë që mendojnë për këto interesa dhe janë të gatshëm të luftojnë për to”, ka thënë Gruevski.

 Pas dështimit të Nikolla Gruevskit për ta formuar qeverinë, shumëkush mendonte se do t’i jepej mandati LSDM-së, si forcë e dytë parlamentare për nga numri i mandateve të fituara në zgjedhjet e fundit.

 Mirëpo, Gjorgje Ivanov, duke refuzuar për t’i dhënë mandatin LSDM-së, nuk ka bërë tjetër veçse ka vendosur që t’i japë VMRO-së një mandat të dytë për të bërë përpjekje që të sigurojë numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë. Pas këtij refuzimi, Zaev ka pohuar se ky vendim i Presidentit Ivanov do të krijojë krizë kushtetuese në vend dhe se Ivanov po vihet në shërbim të ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski, kryetar i VRMO.

 Ndërkohë që, politikanë dhe opinionistë nga dy kryeqendrat e politikës shqiptare, Tirana dhe Prishtina e dënuan vendimin e Presidentit të Maqedonisë, më vonë ka folur edhe protagonisti kryesor i politikës së shqiptarëve të Maqedonisë Ali Ahmeti, i cili ka thënë se, ka qenë ai që, si fitues i zgjedhjeve dhe drejtues i partisë më të madhe shqiptare, ka ftuar partitë parlamentare shqiptare në takim të përbashkët në Shkup për të bashkërenduar agjendën për rrumbullakësim të Marrëveshjes së Ohrit dhe arritjen e barazisë. “Deklarata e përbashkët e partive parlamentare shqiptare të Maqedonisë është dakorduar dhe shkruar në Shkup dhe për bazë ka programet zgjedhore të të gjithë garuesve shqiptarë në zgjedhjet e 11 dhjetorit. Kjo deklaratë në asnjë mënyrë a po formë nuk cenon shtetin, karakterin unitar e as që bën fjalë për federalizim a po ndarje”, ka shkruar Ahmeti.

 Teksa, shqiptarët në Maqedoni janë ftuar të jenë gjakëftohtë, deklarata e Gjorgje Ivanov-it, dhe veprimet e militantëve të VMRO-së mund t’a tensionojë më tej situatën e krijuar në Maqedoni, pse jo dhe t’a fusin vendin në luftë, me qëllim që t’i mbajë shqiptarët të diskriminuar. Nacionalistët maqedonas qëllimisht mund të kërkojnë që, shqiptarët të humbasin gjakftohtësinë, e për rrjedhojë të justifikohet dhuna e bllokimi i demokracisë.

 Shqiptarët duhet të bëhen bashkë, jo vetëm ata në Maqedoni, por edhe shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës e ata të Diasporës, dhe të protestojnë, për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, dhe moszbatimin e Marrëveshjes Kuadër të Ohrit të gushtit 2001. Këto protesta duhet t’u drejtohen instititucioneve ndërkombëtare, e të lihen menjëanë “batutat” në rrjetet sociale. Gjithë qytetarët dhe komunat shqiptare duhet të injorojnë gjitha raportet me qeverinë qendrore, ndërkohë që, duhet të organizohen për mbrojtjen fizike të popullatës, në mënyrë që të shmangen viktimat nga sulmet që mund të provokojnë agjentët e Ivanovit në gjithë Maqedoninë dhe grupeve radikale të frymëzuara nga VMRO. Sjelljet e presidentit dhe thirrjet e ish-kryeministrit maqedonas, nuk janë tjetër veçse thirrje për luftë me shqiptarët, duke “sfiduar” njëherësh dhe faktorin ndërkombëtar.

 Shqiptarët duhet të jenë unik rreth objektivave strategjike të shtruara në Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare të Maqedonisë. Krahas unitetit të nevojshëm vigjilenca është e domosdoshme, sepse të gjithë ata që kanë interes që në Maqedoni të ndizen gjakrat, çojnë ujin në mullirin e WMRO-së, e cila është forca politike përfaqësuese e urrejtjes ndërnacionale.

 Maqedonia po shndërrohet në një arenë e gjimnastikës së retorikës dhe folklorit patriotik të rrjeteve sociale. Dhe këtë po e bëjnë me zell politikanët veçanërisht ata shqiptarë, ndërkohë që do të bënin mirë që, përbri çadrave që kanë mbushur Shqipërinë, të kishte dhe çadrat ku, qytetarët shqiptarë të nënshkruanin edhe Peticionin, në mbrojtje të bashkëkombasëve në Maqedoni. Duke vepruar kështu do të ndihmoheshin edhe maqedonasit sllavë t’a ruajnë shtetin e tyre, bashkë me shqiptarët, duke i trajtuar këta të fundit si qytetarë të barabartë.

 Sa i përket krijimit të qeverisë së re në Maqedoni, pala shqiptare nuk duhet të ketë asnjë dilemë: ajo duhet të jetë në sinton me ndërkombëtarët. Brukseli e ka kritikuar presidentin maqedonas për mosdhënie të mandatit Zoran Zaevit për krijim të qeverisë së re, Uashingtoni, ka argumentuar të njejtin qëndrim. Ndaj çadra për të çuar Gruevskin në opozitë paqësisht duhet të ngrihet.