Qumështi, 65% e tregtisë në të zezë

915

Formalizimi në bujqësi dhe mbështetja e tij me subvencione nuk po funksionon për shkak se sektori është zhytur thellë në informalitet. Rasti i qumështit tregon se produkti grumbullohet dhe tregtohet 65% në të zezë. Nga 450 baxho dhe fabrika, vetëm 150 janë të regjistruara.

Në të gjithë zinxhirin e industrisë së përpunimit të qumështit ka aktorë që operojnë në mënyrë informale, pa pasur NIPT-in dhe pa lëshuar fatura me TVSH.

Këshilli i Investimeve ka zhvilluar një studim të hollësishëm mbi prodhimin dhe tregtimin e qumështit në vend dhe ka vërejtur se 65% e aktivitetit zhvillohet në informalitet të plotë.

Baxhot, 65% informale

Sektori i blegtorisë shqiptare është dhe do të mbetet pjesë e kërkesës në rritje për sasi dhe cilësi për t’ju përgjigjur nevojave të popullsisë. Edhe pse statistikat bujqësore nuk japin të dhëna plotësisht të besueshme dhe të sakta, disa prej shifrave që lidhen me sektorin e blegtorisë tregojnë se numri i fermave që merren me blegtori është 352 mijë.

Fermat që merren kryesisht me gjedh janë 214,9 mijë, ato që merren kryesisht me dhi janë 23,4 mijë dhe dele 47 mijë.

Sasia e qumështit në një nivel prej 1,1 milionë tonësh në vit prodhohet nga 358 000 lopë, 1,896,000 dele dhe 904,000 dhi.

Për shkak të menaxhimit më të mirë, tendenca është drejt uljes së numrit të krerëve të bagëtive dhe rritjes së prodhimit të qumështit dhe mishit.

Rreth 80% kanë nga 2 deri në 4 lopë; rreth 15% kanë nga 5 deri në 10 lopë, rreth 4% kanë nga 10 deri në 15 lopë, dhe vetëm 1% kanë mbi 15 lopë.

Qumështi përpunohet në baxho, të cilat afërsisht janë llogaritur të jenë 450, nga të cilat rreth 35% kryejnë veprimtari në mënyrë formale (të regjistruara, me Tatim mbi Vlerën e Shtuar – TVSH), ndërsa 65% veprojnë në mënyrë informale.

Një skemë pagese direkte për zonë (skemë subvencioni) me një vlerë totale prej 6 milionë eurosh filloi të zbatohet për herë të parë në vitin 2006. Aktualisht, mbështetja e qeverisë për sektorin e bujqësisë është 12,5 milionë euro, që në rastin e blegtorisë u adresohet fermerëve të regjistruar në mënyrë të ligjshme (NIPT), sipas skemës së TVSH-së, që bëjnë identifikimin dhe regjistrimin (I & R) e bagëtive.

Me Udhëzimin Nr. 26, datë 26.10.2015 të ministrit të Financave u përcaktua se blerësi nuk ka të drejtë të kreditojë 20% të TVSH-së në rast se nuk provon kryerjen e kompensimit të fermerit përmes transaksioneve bankare (nga llogaria bankare e blerësit në llogarinë bankare të fermerit), ose përmes Shërbimit Postar të Shqipërisë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, fermerët me një qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë, nuk konsiderohen tregtarë dhe në këtë rast, mbajtja e NIPT-it është e nevojshme vetëm për qëllimin e kompensimit të TVSH-së. Fermerët me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë duhet të regjistrohen si tatimpagues normalë që përdorin fatura me TVSH. Aktualisht vetëm rreth 30 000 fermerë kanë marrë NIPT.

Ka dy lloj grumbulluesish qumështi. individë që grumbullojnë qumështin dhe ua shesin baxhove (fabrikave të vogla apo të mëdha), ose direkt konsumatorëve ruralë dhe grumbulluesit e punësuar nga baxhot.

Të parët në shumë raste janë informalë, ndërsa të dytët janë pjesë e stafit të fabrikës së nënprodukteve të qumështit.

Nga 450 njësi të vogla përpunimi, ose “Baxho” dhe fabrika rreth 300 prej tyre operojnë në mënyrë informale dhe vetëm 150 janë të regjistruara dhe funksionojnë si biznese formale. Shumë prej njësive të paligjshme shërbejnë për të furnizuar popullsinë lokale rurale. Për shkak të detyrimit për zbatimin e ligjit, transportuesit janë duke operuar në mënyrë formale, sidomos ata që transportojnë qumështin dhe nënproduktet e tij drejt zonave urbane. Shitësit me shumicë dhe pakicë gjithnjë e më shumë po veprojnë në një mënyrë të formalizuar, veçanërisht ata shitës me shumicë dhe pakicë që shesin në zonat urbane.

 Pagesa me bankë si funksionon

Rreth 70%-80% e fermerëve shesin deri në 10-15 litra qumësht në ditë. Çmimi i qumështit është mesatarisht 38 lekë për litër dhe fitimi ditor është mesatarisht 380-570 lekë.

Pagesat nga blerësi janë bërë çdo 10 ose 15 ditë, kështu që shuma e përgjithshme për pagesë luhatet nga 3800-5700 lekë (në 10 ditë), ose 5700- 8550 (në 15 ditë).

Distanca mesatare e fermave nga qendrat e qyteteve ku gjenden bankat është midis 40-50 km. Kostoja e transportit është rreth 400 lekë. Për të marrë shërbimin duhen së paku 3 orë, i cili i konvertuar në lekë është rreth 400 lekë.

Komisionet bankare të përmuajshme luhaten nga 150 – 500 lekë dhe shpenzimet totale për çdo tërheqje të pagesës janë midis 950 – 1300 lekë.

Për shkak të transaksioneve nëpërmjet sistemit bankar, shpenzimet e fermës kundrejt të ardhurave të nxjerra nëpërmjet shitjes së qumështit janë llogaritur të jenë midis 16,6% deri në 25% kur pagesat bëhen çdo 10 ditë dhe detyrimet bankare janë 150 lekë.

Në rastin tjetër shpenzimet e fermës janë 11,1% deri në 16,6% kur pagesat bëhen çdo 15 ditë dhe detyrimet bankare janë 150 lekë.

Baxhot e paregjistruara

Sipas studimit të Këshillit të investimeve, nga 450 njësi (njësi të vogla përpunimi, ose “Baxho” dhe fabrika) rreth 300 prej tyre operojnë në mënyrë informale dhe vetëm 150 janë të regjistruara dhe funksionojnë si biznese formale. Shumë prej njësive të paligjshme shërbejnë për të furnizuar popullsinë lokale rurale.

Sasia minimale e qumështit të përpunuar në një baxho është 500 litra në ditë. Në rastin kur baxhot funksionojnë gjatë të gjithë vitit, kapaciteti vjetor i përpunimit është182 500 litra. Çmimi i blerjes së qumështit është 6, 935,000 lekë në vit.

Nga kjo sasi e qumështit të grumbulluar është prodhuar 26, 071 kilogramë djathë Çmimi i shitjes së djathit 350 lekë për kilogram me një xhiro minimale vjetore 9, 124, 850.

Këshilli i investimeve rekomandon që të gjitha njësitë e përpunimit duhet të jenë pjesë e sistemit të faturave me TVSH, përndryshe konkurrenca e padrejtë do të rritet dhe cilësia e produkteve do të mbetet problematike. Përveç kësaj, për sa i përket standardeve të operacioneve, të gjitha baxhot duhet të inspektohen në mënyrë rigoroze nga autoritetet kompetente./Monitor/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: