Artan MULLAJ – E shndërruar në një shtojcë të pushtetit, këtej dhe andej, i ka shërbyer verbërisht politikës, në misionin e saj të shkatërrimit të së vërtetës. Për vite me radhë, shkatërrimi i së vërtetës e ka ndarë me dhunë RTSH-në nga misioni i vet i mirëfilltë, që është shërbimi i shëndetshëm mediatik për publikun.
Në njëfarë mënyre, Radio Televizioni Publik Shqiptar vazhdon të jetë jo më shumë dhe jo më pak se një “institucion i ndihmës sociale”. Administrata e RTSH-së, e drejtuar gjithmonë nga titullarë – militantë partish – të kujton një ushtri të shpartalluar të papunësh; një ushtri të lodhur të papunësh të cilët shoqëria jonë i paguan për punë që, ose bëhen keq a shumë keq, ose nuk bëhen fare.
Më shumë se institucion, më shumë se një media e dështuar, më shumë se një shpërdorim, është një sfidë; sfidë mizore ndaj shtetit dhe shoqërisë; një sfidë në të cilën ndodhnin dhe ndodhin çudira.
Përfytyroni një “korridor” mediatik të paligjshëm bamirësie, dhe menjëherë do shëmbëlleni sysh RTSH-në. RTSH-ja është hapësira e braktisur, ku favoret për titullarët rrjedhin ujëvarë dhe paratë hidhen në lumë për asgjënë, ku ka babëzi dhe aspak disiplinë, ku ka abuzime por jo respekt për punën, për fondet publike; ku ka paaftësi, por jo menaxhim, frymë, vullnet të mirë apo ambicie, ku ka harbutëri, shkrehje, papërgjegjshmëri dhe aspak mision e vizion…
Me fjalë të tjera, njëherësh RTSH-ja vazhdon sot t’i ngjajë një kioske dhembshurie, ku qindra rroga, shërbime, dieta dhe shpërblime paguhen dhe përfitohen thuajse për asgjënë. 10 milionë euro shkojnë për të çdo vit nga buxheti i shtetit, për t’u prodhuar çfarë? Për të promovuar çfarë? Për të ngritur çfarë?
Ky konstatim ngjan rebel, por është i vërtetë: Radio Televizioni Shqiptar është një kooperativë e dështuar dhe e shëmtuar! Askund tjetër nuk punohet kaq pak, nuk prodhohet kaq pak, askund tjetër nuk shpenzohen barbarisht së tepërmi kaq parà për asgjënë, dhe askund tjetër nuk digjet kaq shumë energji kundër thelbit publik të shtetit. RTSH-ja publike ngjan me një masakër financiare publike; një mal që nuk pjell dot as një mi.
RTSH-ja është një realitet gri, mes të cilit, ngritur lapidar, vazhdon këmbëngulëse një dilemë. A do të çohet kush mbi këtë situatë? A do të bëjë kush një sfidë, për ta ndryshuar këtë gjendje, a do ta shkundë kush nga themelet? Apo bastardimi i autoritetit dhe i misionit që duhet të ketë ky institucion, do të vazhdojë?!
Rënë në një audiencë qesharake, RTSH-ja sot është më larg se kurrë nga publiku. Më shumë se kurrë ky institucion nuk ka besimin e qytetarëve shqiptarë. Është e qartë që RTSH-ja, iu largua publikut për një arsye të qartë, që është njëanshmëria. Mungesa e paanësisë! Kapja! E shndërruar në një shtojcë të pushtetit, këtej dhe andej, i ka shërbyer verbërisht politikës, në misionin e saj të shkatërrimit të së vërtetës.
Për vite me radhë, shkatërrimi i së vërtetës e ka ndarë me dhunë RTSH-në nga misioni i vet i mirëfilltë, që është shërbimi i shëndetshëm mediatik për publikun. RTSH-ja, me një ndikim sublim në ndërgjegjen e kombit shqiptar, u largua vit pas viti nga e vërteta, duke e braktisur publikun gjatë tranzicionit. Është koha për drejtimin e kundërt. Koha për afrimin.
Por, ndërsa largimi progresiv nga e vërteta është një proces i thjeshtë dhe spontan, rikthimi tek ajo, përkundrazi, është tejet i vështirë. Kjo për arsyen njëlloj të thjeshtë se në vitet e tranzicionit, shërbimi sistematik ndaj pushtetit i edukoi administratës drejtuese të RTSH-së një rutinë të shëmtuar dhe shkatërruese.
Një rutinë, që vit pas viti, u shndërrua në një zakon të shëmtuar, në vijim të të cilit, kjo administratë i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë sa fresk politikës, aq dhe aleancë pushtetit. Në një vështrim, RTSH-ja i bëri kështu opozitë së vërtetës dhe së drejtës. Kjo e largoi përfundimisht nga publiku dhe nga interesi i tij… Prandaj thuhet se në njëfarë mënyre, RTSh-ja ka tradhtuar shqiptarët për politikën…
Që të marrë kthesën e ndershmërisë dhe të përparojë drejt misionit të vet real, duhet të ndryshojë. Të ndryshojë jo me deklarata boshe dhe propagandë mediatike pushtetarësh, por të riformatohet konkretisht. Të shkulet për t’u ringritur si një sfidë e re. Riformatim do të thotë një strategji e mbështetur nga një fushatë revolucionare njerëzish të rinj në themelet e këtij institucioni.
Do të thotë krijimi në vazhdim i një stafi të ri, të frymëzuar, të talentuar, të motivuar, që do të synojë qasje të re drejt misionit, drejt së vërtetës, ndershmërisë, pa kompromise. Ky staf i ri duhet të krijojë një klimë të re mediatike, në pavarësi të plotë prej politikës, pushtetit dhe propagandës, larg mashtrimit, korrupsionit mediatik dhe manipulimit butaforik. Dhe pastaj punë, programe, projekte, përpjekje…
Vetëm kështu RTSh-ja do të mund të krijojë besim duke përcjellë te shikuesit ndjesinë e të qenit “qytetarë të vlerësuar”. Asgjë nuk mund ta prodhojë më fort ndjesinë kolektive të të qenit “i vlerësuar” një populli, sesa e vërteta. Sesa thënia e së vërtetës. Publiku u largua nga RTSh-ja pikërisht për këtë gjë: sepse u mënjanua, u përjashtua, shpesh edhe barbarisht, nga e drejta për t’u informuar ndershmërisht, nga e drejta për të marrë pjesë, nga e drejta për t’u vlerësuar.
Ndërkaq, si çdo gjë që kërkon vullnet të fortë dhe të shëndetshëm, edhe ndryshimi i stafit drejtues e sidomos ndryshimi i perceptimit të këtij stafi për punën që duhet të bëjë, nuk është i lehtë. Këtë ndryshim e bën mjaft të vështirë edhe fakti se nevojitet një vendim politik i pushtetit për të mënjanuar vetveten; për të përjashtuar veten nga përfitimet që i sjell asaj varësia apo kapja e RTSH-së.
Kjo është një sfidë më vete… Por është e vetmja rrugë! Është drejtimi i duhur! Përndryshe RTSH-ja, në vend të një media të fuqishme promovuese vlerash publike, do vazhdojë të jetë pa fund një barrë e rëndë sociale e financiare në shpinën e shqiptarëve.
Burimi :Shqip
Titulli i shkrimit është vene nga Focus News.al…