Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi luftën ndaj trafikut të drogës për vitin 2016 e vendosi Shqipërinë në vendet kryesore të burimit të marijuanës.
Ashtu siç kam deklaruar disa herë prej verës së shkuar, vendi ynë në 2016-ën pati një shtim të plantacioneve me kanabis. Droga shqiptare, e mbjellë anekënd vendit vijon të trafikohet me ritme të larta, arrin të kapërcejë kufijtë e Shqipërisë dhe të kapet nga policitë e vendeve fqinje. Policia e Shtetit sigurisht këtu ka “meritën” kryesore që e kanabizoi gjithë vendin, zyrtarët e saj taksuan trafikantët 20-30 për qind të vlerës.
Pasojat e këtij aktiviteti kriminal me përmasa dhe dëme kombëtare do të ndikojnë gjatë në jetën e shqiptarëve. Paratë e nxjerra nga ky biznes kriminal, thotë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, pastrohen lehtësisht dhe investohen në prona të patundshme dhe në projekte për zhvillimin e biznesit. Por, siç e kam theksuar edhe më parë, mafia e drogës ka krijuar një fuqi financiare të pakrahasueshme dhe është në gjendje të afektojë zgjedhjet, parlamentin, qeverinë, mediat, drejtësinë dhe të gjitha institucinet e tjera të vendit. Ajo do të rrezikojë edhe zgjedhjet e 18 qershorit.
Rrënjët e problemit duhet t’i gjejmë te qeverisja dhe prej andej do të vijë edhe zgjidhja. Ne kemi një popullsi të madhe në fshat dhe një bujqësi të braktisur, e cila kërkon strategji, politika, investime dhe projekte të mirëmenduara, kërkon subvencionim me të paktën 150 milionë dollarë në vit vetëm nga burimet e brendëshme të buxhetit, rregullimin e tregut të tokës dhe garantim të tokës nga shteti për çdo investim serioz e domethënës për eksportin, investime në infrastrukturë, grumbullim e përpunim, politika doganore mbrojtëse për prodhimet vendase etj, që nuk janë bërë nga asnjë qeveri, as nga qeveria e Ramës. ZGJIDHJA ka prezantuar programin e saj për kanabisin që është realist, i mundshëm, efektiv dhe në përputhje me trendet kulturore dhe të tregjeve në botën e civilizuar.
Shqipërisë i duhet legalizimi i marijuanës për qëllime farmaceutike dhe industriale, dekriminalizimi i përdorimit, kontrolli i plotë dhe absolut i shtetit mbi prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e produkteve dhe nënprodukteve të saj, kontrolli dhe pastrimi i policisë nga çdo person i implikuar. Legalizimi e kthen kanabisin në një të mirë për popullin dhe buxhetin e shtetit, moslegalizimi e mban atë si parajsë ekskluzive të mafies, ndërsa të gjithë funksionarët e policisë që janë implikuar me prodhimin ilegal dhe me trafikimin e marijuanës cenojnë sigurinë e vendit duhet të largohen nga shërbimet e policisë së shtetit. Partia Socialiste duhet të largojë nga qeveria dhe parlamenti politikanët dhe zyrtarët e lartë të saj që janë përfshirë direkt ose indirekt me trafikantët dhe trafikun e marijuanës.