Reagim i partisë Zgjidhja pas kërkesës së kreut të KQZ për ndjekje penale ndaj numëruesve

Politika

Shefat e partive parlamentare janë përgjegjës për vjedhjen e votave, prokuroria të hetojë

KQZ ka çuar për ndjekje penale 70 numërues për tjetërsim të votës në zgjedhjet e 25 qershorit. Ata janë porositur e urdhëruar nga shefat e partive për të kryer këtë vepër penale. Imagjinojeni se çfarë ka ndodhur në të gjithë vendin, kur ky krim elektoral u zbulua vetëm në një rinumërim prej 64 kutish në Tiranë. Shto këtu shitblerjen masive të votës, joshjen dhe kërcënimin me vendin e punës…

“Zgjidhja” paralajmëroi me kohë: Rilindja dhe partitë e tjera që administrojnë zgjedhjet janë kthyer në organizata mafioze që tjetërsojnë vullnetin e popullit. Duke e ditur këtë ne refuzuam pjesëmarrjen në farsën e 25 qershorit.

Edhe një herë ftoj Prokurorinë e Përgjithshme që mbi bazën e të vërtetës së 64 kutive të kuptojë se kemi të bëjmë me një krim me përmasa të mëdha ndaj ligjit dhe ndaj institucioneve kushtetuese të Shqipërisë. Kemi të bëjmë me një puç ndaj zgjedhjeve. Manipulimi i zgjedhjeve në 90 % të kutive është grusht shteti. Prandajë prokuroria duhet të hapi të gjitha kutitë dhe të hetojë deri në fund këtë mega krim elektoral.

Krimi elektoral i vjedhjes dhe i manipulimit të votës në 25 qershor implikon të paktën 15 mijë numërues nga Rilindja, PD dhe partitë e tjera që administruan zgjedhjet. Ndër këta, mbi 5 mijë janë të Rilindjes. Pra pothuajse gjithë ushtria e numëruesve të Rilindjes ka vjedhur vota. A ka ndonjë shqiptar që mendon se kjo ushtri e ka tradhëtuar shefin e Rilindjes dhe ka vepruar pa urdhërin e tij e “me kokën e saj” për të vjedhur dhe manipuluar vota? Me kokën e saj? E kush është koka e saj?

Nga dëshmitë rezulton se në Qarkun e Vlorës Rilindja ka blerë më shumë vota nga sa duheshin, aq shumë vota sa që ajo ka fituar edhe deputetin e 9-të. Meqenëse kjo ishte aq e ekzagjeruar, nga fundi i procesit të numërimit, kupola e Rilindjes u dha urdhër numëruesve të saj në Vlorë, që të vjedhin edhe votat e PS-së dhe t’ia numërojnë ato PD-së. Kështu u bë deputet Dulja që ishte i treti në listën e PD-së.

Po të dënohen sipas ligjit ata që kanë kryer krime elektorale në 25 qershor na nevojitet të 5-fishojmë kapacitetin e burgjeve për të strehuar vetëm një pjesë të vogël të tyre. Krimi elektoral është më i përhapuri në Shqipëri. Në renditje, sipas numrit të shqiptarëve të përfshirë, rezulton se kriminelët e zgjedhjeve janë më shumë se ata të drogës dhe janë më shumë se ata që emigrojnë çdo vit nga Shqipëria. Për të pastruar Shqipërinë nga ky krim dhe nga këta kriminelë nuk duhen të përqëndrohemi te kriminelët e zakonshëm të zgjedhjeve. Duhet të “burgosen” kryetarët e partive dhe ky sistem e kod zgjedhor që kemi sot. Vetëm kështu mund ta shpëtojmë edhe zgjedhjet, edhe PS-në, edhe Shqipërinë nga Rilindja dhe PD-ja.

“Zgjidhja” nuk do të ndalet, nuk do të tërhiqet dhe nuk do të dorëzohet deri sa t’i mundë e t’i thyejë të gjithë armiqtë të zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe të lirisë së popullit shqiptar. Liria dhe demokracia e vërtetë prodhojnë stabilitet e paqe. Zgjedhjet e vjedhura, pa standarde e të manipuluara, shkatërrimi i lirisë dhe demokracisë, shkatërrojnë shpresën, mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në vend dhe në rajon, prandaj “Zgjidhja” ka ndërmarrë nismën ligjorepër të reformuar zgjedhjet përmes referendumit të popullit shqiptar.

ZGJIDHJA për LIRINË