Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar me anë të një deklarate-protestë në përgjigje të fjalës së Kryeministrit përgjatë interpelancës së djeshme në Parlament. Në deklaratë Kisha shprehet se përmes ngritjes së fondeve nga donatorë të ndryshëm në mbarë botën, janë restauruar mbi 60 manastire, kisha të shenjta dhe monumente kulture në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Kryeministri nuk mori përsipër dhe as ka se si merr përsipër të informojë publikun se sa investime ka bërë për llogari të sajën Kisha Orthodhokse Autoqefale në infrastrukturën e objekteve në dispozicion të saj. Kjo është çështje e Kishës dhe qeveria nuk ka as detyrën e as të drejtën të ndërhyjë apo të informojë mbi këtë çështje. Kryeministri, gjatë interpelancës me deputetin Vangjel Dule, thjesht informoi ndër të tjera se Kisha Orthodhokse Autoqefale ka bërë në mars 2014 një marrëveshje me qeverinë përmes Ministrisë së Kulturës për bashkëpunim të ndërhyrjeve të shpëtimit apo të restaurimit të kishave monument kulture që ishin në situatë emergjence, duke shtuar se deri më sot Kisha nuk ka marrë pjesë në asnjë operacion të financuar nga qeveria gjatë këtyre dy vjetëve. Qeveria ka vijuar ndërkohë me financimin e restaurimeve të kishave-monument kulture nga buxheti i shtetit, në mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, Kryeministri theksoi se ky fakt nuk është një kritikë ndaj Kishës, por vetëm një fakt i vërtetë që tregon përkushtimin e qeverisë në raport me monumentet e kulturës që janë edhe në përdorim të Kishës Orthodhokse Autoqefale.
Burimi: TRANSPARENCA.AL