Reagimi i Partisë ZGJIDHJA pas deklarimeve të kryeministrit Rama në televizionin francez ‘France24” për importin e mbetjeve
Pa bërë ende betimin para Kuvendit, pa mbajtur ende fjalimin e politikave publike që do të zhvillojë gjatë mandatit të dytë, dhe pa shpallur ende qeverine e re, kryeministri Rama, ka nxitim në formë makthi, si t’i hapë rrugë importit të plehrave.
Me kokën e tij, pa pyetur njeri, me një përbuzje të pashoq për opinionin publik vendas, ai ia rezervoi një stacioni të huaj televiziv, vendimin më delikat që mund të merret në Shqipëri në lidhje me importin e plehrave.
Zgjidhja denoncon orvatjet e kryeministrit për ta justifikuar importin e mbetjeve me legjislacionin europian. Komisioni Europian është shprehur se Shqipëria nuk e ka infrastrukturën e nevojshme për monitorimin, kontrollin dhe raportimin e mbetjeve të importuara.
Rama ende nuk ka marrë rezultatin e hetimit mbi mijëra tonelatat e plehrave të rrezikshme që kanë hyrë nga Durrësi për gjoja tranzit në Maqedoni dhe që s’kanë dalë kurrë nga territori shqiptar. Atij s’i interesojnë këto hetime, po ku të groposë helmet e huaja në tokën tonë.
Edi Rama s’paska marrë mësime nga e kaluara e afërt. Ai e kishte edhe shumicën me “1 milion” vota me 2013 dhe vrapoi t’u bënte peshqesh shqiptarëve armët kimike siriane. Pastaj edhe të kërkonte të kalonte në parlament ligjin për importin e mbetjeve me pretekstin se po falimentonte industria ricikluese.
ZGJIDHJA do të luftojë përkrah shqiptarëve me çdo mjet që ky projekt ogurzi të bllokohet dhe anulohet njëherë e përgjithmonë!