Presidenti amerikan Donald Trump ka uruar homologun turk Recep Tayip Erdogan për fitoren në referendumin e së dielës, që i jep atij më shumë pushtet në krye të vendit.
Në një bisedë telefonike të zhvilluar, Trump gjithashtu falenderoi Erdogan për mbështetjen ofruar Amerikës për bombardimin e bazës ajrore siriane më 7 prill. Në një deklaratë për shtyp, Shtëpia e Bardhë bën me dije se presidenti Trump diskutoi gjatë bisedës për reagimin ndaj përdorimit të armëve kimike nga regjimi sirian më 4 prill. Ndërkaq, mijëra njerëz dolën në rrugët e Stambollit dhe të qyteteve të tjera të Turqisë, të hënën në mbrëmje, për të protestuar kundër rezultatit të referendumit, që i jep presidentit turk më shumë pushtet. 13 persona janë arrestuar në Antalia. Protestuesit shprehën zemërim me disa parregullsi, mes tyre edhe vendimi i trupit zgjedhor për t’i cilësuar si të vlefshme më shumë se një milion vota pa vulë zyrtare. Hajir Besiktas, grupi që thirri protestën, tha se është kundër “mashtrimit, padrejtësisë dhe votave të vjedhura”. Parregullsitë janë identifikuar edhe nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshilli i Evropës. “Duajeni vendin tuaj”, u është përgjigjur Erdogan vëzhguesve. Partitë turke të opozitës kanë bërë thirrje për anulimin e referendumit duke u ankuar për parregullsi të shumta gjatë votimit. Nënkryetari i partisë kryesore të opozitës, ka kërkuar që të anulohet ky referendum duke shtuar se ai do të kontaktoj me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Erdogan fitoi referendumin me 51.4% të votave.