Komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore do të mblidhet të martën në orën 12:30, në mbledhjen e parë për këtë vit. Në rend dite është parashikuar për diskutim çështja e “votimit dhe numërimit elektronik” si dhe mundësimi i votës së emigrantëve. Ndonëse komisioni është ngritur një vit më parë me vendim të Kuvendit, ai ende nuk ka marrë asnjë vendim për jetësimin në kodin zgjedhor të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ndonëse 6 muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Palët nuk kanë arritur të marrin asnjë vendim për ato çështje ku palët bien dakord të ndërhyhet në ligjin zgjedhor.
Të hënën Lëvizja Socialiste për Integrim(LSI) publikoi një platformë me 7 pika për reformën zgjedhore, ku rikonfirmoi kërkesën për listat e hapura, kërkesë që nuk mbështetet nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD.
Platforma e LSI-së ka në fokus ashpërsimin e masave për rastet e shitblerjeve te votës apo fotografimin e saj, parandalimin e zhvendosjes së votuesve nga njëra zonë në tjetrën, duke e lidhur qendrën e tyre të votimit me datën e shpalljes së zgjedhjeve nga Presidenti, si dhe shtimin nga 90 në 200 të qendrave të numërimit të votave. / ATSH/