Presidenti serb Nikoliç sot mbajti mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, duke marrë shkas nga prezenca e Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore dhe ndalimin e hyrjes ilegale të trenit serb në territorin shqiptar.
Gjeneral – Sulejman ABAZI / Me tone të ashpra prej një nacionalisti agresiv, me gjuhën e Milosheviçit, ai kërcënoi Kosovën për ndërhyrje ushtarake, duke i akuzuar “institucinet e përkohëshme” të Kosovës mbi rrezikun që ato shfaqin ndaj qytetarëve serbë.
Jo më larg se para një jave, presidenti i Republikës Serbcka pretendoi për bashkim me Serbinë, duke përfshirë dhe “katër komunat serbe në Mitrovicën Veriore” (!!)
Situata është përballur me tensione, po të kemi parasysh, arrestimin e oficerit të Policisë së Kosovës, murin ndarës në Mitrovicë, arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë dhe së fundi me tentativën për të hyrë në mënyrë ilegale të trenit në Mitrovicë, me provokacionin e hapur të shkrimit në disa gjuhë të botës; “Kosova është Serbi”.
Akuzat shkojnë dhe më tej në kërcënimin e ministrit të jashtëm të Serbisë, Daçiç, i cili nënkupton jo vetëm kërcënime për Prishtinën, por dhe Tiranën. Madje nuk mungojnë këto kërcënime edhe për situatën politike paszgjedhore në Malin e Zi dhe në IRMJ në jug.
Kjo situatë të detyron të analizosh gjithçka që mund të fshihet pas murit të kësaj politike agresive, provokative dhe të rrezikëshme, e cila mund të jetë pasojë e një plani të Serbisë, për të kapërcyer krizën e brendëshme politike në prag të zgjedhjeve të saj presidenciale.
Shkaku kryesor i mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, është pretendimi serb për Mitrovicën Veriore. Pranimi i shëmtuar i politikës shqiptare në Kosovë, për krijimin e komunave të reja serbe, është një boomerang për Prishtinën.
Koha tregoi se marrëveshjet e Kosovës me Serbinë, nën ndërmjetësimin e BE-së, janë në dëm të Kosovës dhe se me këtë situatë të tensionuar midis dy vendeve, politika e BE-së në Kosovë po dështon tërësisht.
Provokimet dhe ndërhyrjet kanë qenë dhe vazhdojnë të kryhen në mënyrë të njëanëshme nga Beogradi.
Afrimi i trupave ushtarake dhe mjeteve të rënda të luftimit në kufijtë e Kosovës, është një tregues real i kërcënimit për ndërhyrje. Serbët janë mjeshtra të organizimit të rasteve dhe precedentëve për pretekst në realizimin e qëllimeve të tyre. Një skenar i mundshëm i Krimesë, do të sillte një situatë të re politiko – ushtarake, e cila me rritjen e tensioneve ndërkombëtare midis SHBA-ve, BE-së dhe Rusisë, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mund të kërkojë “një zgjidhje të re politike”.
Nëse në kushtet e zbatimit të një situatë të tillë politiko – ushtarake do të kërkohen zgjidhje të reja, atëherë del me siguri në skenë “këmbimi i territoreve” në dëm të Kosovës, nëse do të kemi parasysh shpopullimin e ftohtë të territoreve shqiptare në Serbinë Jugore.
Ky skenar mund të jetë i paracaktuar për një larje hesapesh nga Serbia me shqiptarët, me përfitime maksimale nga ana e saj, nga ajo që ka mbetur, pas shkëputjes përfundimisht të Kosovës nga Serbia në vitin 1999-të.
Serbia nxiton të fitojë kohë, pasi brenda saj tensionet etnike dhe përplasja midis rrymave properëndimore dhe atyre ultranacionaliste, e vënë atë në vështirësi, të rrethuar me armiqësinë që ajo ka mbjellë në shekullin e fundit mbi popujt e tjerë ballkanikë.
Me siguri këtij skenari që mund të realizohet hap pas hapi, mund t’i paraprijë referendumi në Republikën Serbcka për dalje nga Bosnje Hercegovina dhe kërkesa për t’u bashkuar me shtetin serb.
Edhe pse Serbia mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare, një gjë të tillë nuk ka pse ta bëjë Republika e Shqipërisë, sipas ndonjë zëri që del dhe nga Parlamenti Shqiptar. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe i mjafton qëndrimi unifikues brenda politikave të Sigurisë së saj dhe asaj kolektive, për të qenë e përgatitur dhe vigjilente ndaj zhvillimeve të tilla të rrezikëshme në rajon.
NATO mendojmë se, duhet të vlerësojë faktin dhe të alarmohet që Serbia ka shkelur një nga kushtet e marrëveshjes së Kumanovës, të kapitullimit të saj në vitin 1999-të, që në brezin 5 km matanë kufirit me Kosoven ajo ka futur trupa ushtarake. KFOR përgjigjet për sigurinë e jashtëme të sovranitetit të Kosovës, ndryshe nuk ka arësye të jetë në Kosovë.
Serbia duhet të kuptojë se, pavarësisht rrjedhojave të pasluftës, gjendja në Kosovë nuk është siç mendon ajo, e joshur nga lëshimet që shqiptarët kanë bërë për respektimin e institucioneve të BE-së.
Serbia duhet të kuptojë që, me shqiptarët llogaritë janë ende të hapura dhe ajo duhet të pranojë se jemi në një kohë tjetër që nuk pranon më politika hegjemone dhe diktat me forcën ushtarake.
Faktori ndërkombëtar përball kësaj situate provokative me erë baruti dhe konflikti të armatosur, duhet të ngrejë antenat dhe të marrë masa parandaluese në planin politiko diplomatik.
Urojmë që fuqitë e mëdha perëndimore, NATO dhe KFOR të mos turpërohen në Kosovë, pasi një inkursion ushtarak serb brenda territoreve të saj, do të sillte pasoja të rënda për rajonin dhe më gjerë.
*Dr. Sulejman Abazi (Neshaj) u lind në qytetin e Vlorës në 7 maj 1954. Ka qenë Komandant i ishullit të Sazanit, 3 korrik 1986 – 3 korrik 1992. Ka gradën ushtarake “Kolonel” dhe është diplomuar në Kursin e Lartë të Shtatmadhorisë. Mban titullin “Doktor i Shkencave në Psikologji”. Është autor i 9 librave të botuar dhe mbi 250 komenteve, analizave, opinioneve në shtypin e ditës. Gjithashtu është “Ambasador i Paqes”.